Një qytetare në Divjakë e quajtur Elsa Bita ka denoncuar shefin e komisariatit se është denoncuar prej tij.
Sipas saj, ngjarja ndodhi pasi filmoi një takim elektoral ditën e sotme, që bie në kundërshtim me rregullat elektorale në ditën e heshtjes zgjedhore.
“Thjesht po filmoja, ka zbarkuar administrata. Nuk i di kush i njofton, vjen një makinë, 4 veta zbresin. Të tjerët më shanë gjatë kësaj kohe. Shefi i komisariatit pse filmon tha dhe më mori telefonin. Donte ta thyente edhe pastaj më ka kapur e nuk e di çfarë më ka bërë, më përplasi. Vetëm ai ishte. U thoshte të tjerëve që merreni shoqërojeni në komisariat. Të tjerët nuk po i bindeshin edhe ai u çua vetë pastaj. Nuk e di ç’pati. Ka 1 muaj që ka ardhur në Divjakë”, thotë qytetarja, e cila është shtruar në spital ku po merr mjekim.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë rastin.
“I bëj thirrje Prokurorisë dhe SPAK të hetojë urgjentisht dhunën kriminale të ushtruar sot ndaj zonjës, Elsa Bita në Divjakë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të arrestojë urgjentisht autorin apo autorët e dhunës, cilitdo qofshin ata. Çdo mosveprim, ju ngarkon me përgjegjësi të plotë për çdo akt dhune në vijim. Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë të një vendi që e meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian”, shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook.