Qytetet mbulojnë vetëm 3 për qind të tokës, por ato konsumojnë 75 për qind të burimeve natyrore, tha sot ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, raporton Anadolu Agency (AA).
“Qytetet botërore gjenerojnë 80 për qind të të gjitha parave, 90 për qind të aktivitete të inovacionit dhe 50 për qind të të gjitha mbeturinave”, tha Kurum në Samitin “Turqia 2023” në Stamboll.
Ai tha se popullsia botërore pritet të arrijë në 9.7 miliardë deri në vitin 2050 ndërsa 63 për qind e kësaj popullate do të jetojë në qytete, të cilat do të përbëjnë 91 për qind e të gjithë konsumit.
“Për t’u përballur me këtë situatë, bota diskuton rreth ndërtesave që janë në pajtim me mjedisin, qytetet e mençura, automjetet autonome, transportin me dronë dhe mbeturinat zero“, shtoi Kurum.
Madhësitë e 20 qyteteve më të mëdha në botë tejkalojnë atë të disa vendeve, pasi Londra, New Yorku dhe Tokio janë më të mëdha se Holanda, Kanadaja dhe Koreja e Jugut, tha ai.
“Sipas vlerësimeve të OKB-së, numri i këtyre mega qyteteve do të arrijë në 41 në vitin 2030“, theksoi ai.
Duke iu referuar objektivave mjedisore të Turqisë, ai tha se vendi ka për qëllim të përdorë burimet natyrore dhe ujin në mënyrë më efikase.