Organizata e Kombeve të Bashkuara po studion mundësitë për të ndërtuar qytete lundruese nëpër vende të ndryshme të botës, si një mundësi për të ulur nivelin e detit që është gjithnjë e në rritje.
90% e qyteteve më të mëdha në botë janë të rrezikuar nga përmbytjet për shkak të shkrirjes së akullnajave dhe rritjes së nivelit të detit, paralajmëron një studim i OKB. Për këtë arsye, organizata ka nisur një projekt për të dizajnuar dhe modeluar jetën e të ardhmes në disa platforma që do të pozicionohen në det, të lidhura në formë unaze me njëra-tjetrën.
UN-Habitat, zyra e zhvillimit urban në OKB, do të bashkëpunojë për këtë projekt me kompaninë private “Oceanix”, Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT) dhe “Explorers Club”, një shoqatë profesionistësh të fushës, për të çuar përpara konceptin.
“Qytetet lundrues janë një prej zgjidhjeve të mundshme”, tha drejtori ekzekutiv i UN-Habitat Maimunah Mohd Sharif. Brenda muajsh do të ndërtohet prototipi i parë që do të mund të shihet edhe nga publiku, pasi do të vendoset në lumin Lindor në selinë e OKB në Nju Jork. Një tjetër version do të ndërtohet në Kopenhagën.
Kundërshtarët e projektit thonë se ai mund të tërheqë vëmendjen nga kërkimi i zgjidhjeve të problemeve rrënjësore të ndryshimeve klimatike, por edhe se jetesa në ato qytete do të mund të përballohet vetëm nga super të pasurit, duke lënë kështu komunitetet e njerëzve me pak të ardhura në mëshirë të fatit.