Osaka, qyteti i tretë më i madh në Japoni, ka bërë thirrje që mushamatë e shiut të dhurohen si mjete mbrojtëse për stafin mjekësor të spitaleve që po luftojnë kundër virusit Covid-19.
Kjo nismë është marrë për shkak të mungesës së veshjeve të duhura mbrojtëse për spitalet e qytetit, pasi disa anëtarë të stafeve mjekësore po detyrohen të përdorin qese mbeturinash.
“Ju lutem na dërgoni mushamatë e shiut, të çfarëdo ngjyre qofshin”, tha kryebashkiaku Ichiro Matsui të martën para gazetarëve.
“Disa anëtarë nga stafi mjekësor i një spitali që po përballet me fluksin e të infektuarve nga koronavirusi kanë veshur si mjete mbrojtëse qese plastike që përdoren për hedhjen e mbeturinave”, theksoi Matsu, duke shtuar se mungesa e mjeteve mbrojtëse kërcënon stafin mjekësor dhe për rrjedhojë mund të thellojë akoma më shumë krizën në vend.
Osaka po përballet me një numër rastesh të reja në rritje, mbi 830 persona të infektuar, duke u radhitur në vendin e dytë, pas Tokios që ka regjistruar deri më tani 2 mijë 171 persona të infektuar me Covid-19.
“Nuk ka rëndësi nëse jeni një qytetar i këtij qyteti apo jo. Ju lutem na dhuroni një mushama”, shkruhet në faqen online të bashkisë.