Djemtë e mbetur jetimë të oficerit të vrarë një ditë më parë në krye të detyrës nga 21-vjeçari Aldi Rama do të marrim trajtim gjatë gjithë jetës së tyre deri në 18 vjeç, ose 25 vjeç nëse vazhdojnë shkollën e lartë.
Lajmin e dha ministri i Brendshëm Blendi Çuçi pas mbledhjes së qeverisë, ku sipas tij me marrjen e titullit “Dëshmor i Atdheut” fëmijët do të marrin një pagë prej 170% të pagës që ka pasur Saimir Hoxha.
“Dje humbi jetën në mënyrë tragjike nënkomisari Saimir Hoxha dhe me marrjen e titullit Dëshmor i Atdheut kur të hyjë në fuqi ligji i ri që miratuam në mbledhjen e parë të qeverisë, fëmijët do të trajtohen në përkujdesje të Republikës. Ata do të marrin trajtim gjatë gjithë jetës së tyre deri në 18 vjeç dhe nëse vazhdojnë shkollën e lartë deri 25 vjeç.
Të dy djemtë do të marrin një pagë prej 170% të pagës që ka pasur Saimir Hoxha, jo vetëm kaq por do të marrin dhe trajtim falas shëndetësor dhe gjithë përfitimet që vijnë nga statusi i Dëshmor i Atdheut. Familjarëve dhe fëmijëve do t’u mungojë babai, por jo përkujdesja ndaj shtetit dhe shoqërisë për të cilën Saimir Hoxha dha jetën”, u shpreh Çuçi.