Bota RAI grevë kundër tendencave për censurë nga qeveria

RAI grevë kundër tendencave për censurë nga qeveria

Gazetaret dhe gazetarët e medias publike të Italisë, RAI për të protestuar kundër tentativave për ndërhyrje në punën gazetareske nga qeveria e kryeministres së ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni duan të hyjnë në grevë.

Gazetaret dhe gazetarët e medias publike të Italisë, RAI për të protestuar kundër tentativave të kryeministres së ekstremit të djathtë Giorgia Meloni duan të hyjnë në grevë. Sindikata Asigrai ka bërë thirrje për një grevë 24 orëshe më 6 dhe 7 maj, pasi në bisedimet me drejtuesit e RAI-it nuk u arrit të shmangen rezervat.

Arsyeja kryesore për grevën është “kontrolli i rreptë i punës gazetareske” dhe “përpjekja për ta reduktuar RAI-n në një organ zëdhënës të qeverisë”, komunikoi sindikata. Po ashtu kritikohet mungesa e personelit dhe kushtet jo të mira të kontratave të punës.

Një tjetër sindikatë, Unirai, deklaroi, se nuk do të marrë pjesë në grevë. Ajo e cilësoi grevën “politike”. RAI duhet të kthehet në një media të raportimit “pluralist”.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni

Dyshimet lidhur me pavarësinë e medias publike italiane, RAI po shtohen qëkurse ka ardhur në pushtet qeveria e Melonit në vitin 2022. Fundjavën e kaluar pati akuza, se RAI ndaloi publikimin e një shkrimi të një autori kritik ndaj Melonit. Ishte planifikuar që ky autor të mbante një fjalim në vigjilje të ditës së çlirimit. Italia kremton çdo vit më 25 prill si ditën e humbjes së fashizmit dhe nazizmit në Luftën e Dytë Botërore.

Antonio Scurati është një shkrimtar i vlerësuar jo vetëm në Itali. 54 vjeçari ka marrë disa çmime. Ai trajton intensivisht temën e fashizmit. Për romanin e tij “M. djali i shekullit” mbi Benito Mussolinin ai është vlerësuar me çmimin më prestigjioz italin për letërsinë, Premio Strega.

Scurati u ftua nga RAI të mbante një fjalim për ditën e çlirimit nga fashizmi. Por pak përpara emisionit atij ia anuluan ftesën duke mos e lejuar të mbajë fjalimin. Moderatorja e emisionit nuk donte ta pranonte një gjë të tillë dhe me vendosmëri lexoi drejtpërdrejt në transmetim përpara kameras fjalët e tij. Si Meloni edhe menaxhmenti i RAI-t i kanë hedhur poshtë akuzat për censurë. Menaxhmenti i RAI-t publikoi më pas fjalimin e shkrimtarit në rrjetet online.