Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka dhënë detaje lidhur me qëndrimin e Shqipërisë për pezullimin e vaksinës së AstraZeneca. E ftuar në emisionin “Open”, Rakacolli tha se edhe nëse rreziku për trombozë është real, mundësia është shumë e vogël, vetëm 0.007 në 1 mijë raste. Ajo tha se për shkak të lajmeve ka pasur edhe mësues në Shqipëri që nuk kanë pranuar të marrin vaksinën Astra Zeneca.
“Edhe në Shqipëri kemi pasur raste kur mjekët kanë refuzuar vaksinën. Kemi pasur edhe nga ata që kanë refuzuar Pfizerin. Ne nuk kemi pasur asnjë problem me vaksinën Astra Zeneca.
Nuk mendohet se ka një lidhje me mpiksjen e gjakut me AstraZenecan. EMA është shprehur, thuhet se rastet po vlerësohen. Nga miliona doza të shpërndara janë shënuar vetëm 47 raste mpiksje gjaku. Numri është shumë i vogël. Çdo vend ka qëndrimin e tij, Belgjika, Serbia dhe Kroacia po e vazhdojnë.
Tromboza ndodh edhe pa bërë vaksinën. Përderisa nuk është vërtetuar lidhja me trombozat, ne nuk kemi të drejtë të spekulojmë. Në Shqipëri nuk kemi pasur asnjë rast. Edhe sikur të ndodhte, rreziku është shumë i vogël, është 0.007 për 1000 raste. COVID-i ka mundësi më të madhe. Në Angli janë ulur numrat,” – tha Rakacolli.