Dy persona kanë vdekur në Poloni pasi dy raketa me origjinë ruse ranë pranë kufirit të vendit me Ukrainën.
Raketat ranë në qytetin Przewodów, duke rezultuar në përplasjen e avionëve ushtarakë polakë, sipas mediave lokale polake.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka thirrur një takim urgjent të zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së vendit, sipas zëdhënësit të qeverisë Piotr Mueller.
Një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane konfirmoi për AP se raketat ruse kaluan në Poloni.
Vendi i Evropës Lindore në kufi me Ukrainën është një anëtar i BE-së dhe NATO-s.
Moska e ka cilësuar si një “provokim” lajmin e raketave në territorin polak.
Në një reagim në Telegram, Ministria ruse e Mbrojtjes i ka konsideruar këto raporte “provokim të qëllimshëm”.
“Asnjë goditje nuk u krye nga mjetet ruse kundër objekteve pranë kufirit shtetëror ukrainas-polak”, thuhet në deklaratë.
Raketat, apo pjesë të një rakete, mund të kenë gabimisht në territorin polak, gjatë një bombardimi masiv të trupave të Moskës në territorin ukrainas. Sipas mediave polake, mund të jenë dhe pjesë raketash ruse të shkatërruar nga mbrojtja ukrainase.
Pentagoni deklaroi se është “në dijeni të lajmeve mbi rënien e raketave ruse në Poloni. Për momentin nuk kemi informacione që mund ta konfirmojnë. Po hetojmë”.
“Angazhimi ynë ndaj nenit 5 të NATO-s është i qartë: Do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë tha se nuk mund të “konfirmonte” informacionin për dy raketat, Presidenti i Lituanisë Gitanas Nausėda tha se “lajmi për të paktën dy shpërthime” ishte “shqetësues”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin pritet të flasë me homologun e tij polak ditën e sotme, sipas një zyrtari ushtarak evropian dhe zyrtar amerikan.
Letonia dhe Estonia fqinje dënuan veprimin e Kremlinit.
“Regjimi kriminal rus lëshoi raketa që goditën jo vetëm civilët ukrainas, por edhe zbarkuan në territorin e NATO-s në Poloni. Letonia mbështet plotësisht miqtë polakë dhe dënon këtë krim”, tha qeveria letoneze.
Kjo deklaratë u ndoq nga Ministria e Jashtme e Estonisë: “Lajmet e fundit nga Polonia janë shumë shqetësuese. Ne jemi në kontakt të ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë. Estonia është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me aleatin tonë të ngushtë”.
Çfarë parashikon NATO në rast të një sulmi ndaj një vendi aleat?
Edhe pse origjina e predhave që goditën Poloninë dhe vranë dy persona nuk është konfirmuar, në rast se konfirmohet sulmi rus ndaj Polonisë, NATO përfshin në nenin 5 të Traktatit të Organizatës së Aleancës Atlantike të ashtuquajturin parim të mbrojtjes kolektive.
Ky është një parim unik dhe i përhershëm që bashkon anëtarët e saj dhe vendos një frymë solidariteti në Aleancë.
Neni 5 thotë: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, i ndodhur në Evropë ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm i drejtuar kundër të gjithëve dhe, për rrjedhojë, bien dakord që nëse një sulm i tillë ndodh, secili prej tyre, në ushtrim të së drejtës së mbrojtjes legjitime individuale ose kolektive, të njohur nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojnë Palën ose Palët e sulmuara, duke miratuar më pas, individualisht dhe në marrëveshje me Palët e tjera, masat që i sheh të arsyeshme, duke përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në rajonin e Atlantikut të Veriut”.
Reagon Edi Rama: Shqipëria është seriozisht e shqetësuar
Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas rënies së dy raketave ruse në Poloni.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, ai është drejtuar homologut të tij polak Mateusz Morawiecki duke i thënë se Polonia ka mbështetjen e Shqipërisë.
“Mateusz Morawiecki, Shqipëria është seriozisht e shqetësuar për lajmet për shpërthimet në Poloni. Ju keni solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë”- shkruan ai në Twitter.
Mediat polake raportuan se dy persona humbën jetën të martën pasdite pasi një predhë goditi një zonë në Przewodów, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën. Zona përdorej për tharjen e grurit.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka thirrur një takim urgjent të zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së vendit, sipas zëdhënësit të qeverisë Piotr Mueller.