Kryesore Raketat ruse godasin bllokun e ambasadave, ku ndodhej dhe ajo shqiptare, krerët...

Raketat ruse godasin bllokun e ambasadave, ku ndodhej dhe ajo shqiptare, krerët e BE: Ky është sulm barbar!

Sulmi rus mëngjesin e së premtes ka prekur edhe zyrat diplomatike të gjashtë vendeve partnere të Ukrainës përfshi edhe atë të Shqipërisë. Ky fakt është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme e Ukrainë në një reagim për mediat.

Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se ambasada e Shqipërisë, Argjentinës, Palestinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Portugalisë, të vendosura në të njëjtën ndërtesë, u dëmtuan si rezultat i goditjes. Nuk ka pasur viktima në mesin e stafit diplomatik.

“Ky është një tjetër sulm barbar nga Rusia ndaj objektivave civile që nuk tregon gatishmëri për paqe”, tha shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Kaja Kallas në X.

Sulmin ndaj ndërtesave të ambasadave e ka dënuar edhe shefja e Komisionit Europian. “Një tjetër sulm mizor rus kundër Kievit. Këtë herë në një ndërtesë që strehon Ambasadën Portugeze dhe disa shërbime të tjera diplomatike. Përçmimi i Putinit për ligjin ndërkombëtar arrin lartësi të reja. Solidariteti me Portugalinë dhe vendet pratnere”, shkruan Ursula von der Leyen.

Nga ana e saj, Aleanca e Atlantikut të Veriut i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalë menjëherë sulmet ndaj civilëve ukrainas dhe objekteve diplomatike.

Ministria ruse e Mbrojtjes e justifikoi sulmin me faktin se kishte goditur një qendër komandimi të përdorur nga shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës, një vend për të cilin tha se ishte i përfshirë në projektimin dhe ndërtimin e raketave dhe një sistemi raketor anti-ajror Patriot të prodhuar nga SHBA.

“Qëllimet e sulmit janë arritur. Të gjitha objektivat janë goditur”, tha ministria, duke e quajtur sulmin si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Ukrainës ndaj rajonit të Rostovit të Rusisë me raketa perëndimore. Një sulm raketor rus vrau të paktën një person dhe dëmtoi një katedrale historike, gjashtë ambasada dhe ndërtesa të tjera në të gjithë kryeqytetin ukrainas gjatë orës së pikut të mëngjesit të premten, thanë zyrtarët ukrainas.