Raketat ruse kanë shkelur hapësirën ajrore të Moldavisë dhe Rumanisë. Pretendimi vjen nga një komandant i ushtrisë ukrainase, që saktëson se sulmet janë lëshuar nga Deti i Zi dhe kanë kaluar nga dy shtetet, për të përfunduar më pas në një prej qyteteve kufitare të Ukrainës.
Moldavia konfirmoi incidentin me raketën në qiellin e saj dhe qeveria thirri ambasadorin rus për sqarime. Por ky zhvillim bëri që kryeministrja moldave, Daniela Gavrilita, të dorëhiqej. Ndërsa, Rumania, vend anëtar i NATO-s, rrëzoi pretendimin se raketa të ketë shkelur hapësirën e saj ajrore, zhvillim i cili nëse do të ndodhte, mund të çonte deri në aktivizimin e artikullit 5 të aleancës dhe për pasojë një përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë.
“Raketa ruse, në asnjë moment nuk shkeli hapësirën ajrore të Rumanisë. Pika më e afërt e trajektores me hapësirën ajrore të Rumanisë ishte afërsisht 35 kilometra”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.
Incidenti vjen vetëm disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri të ditura planet e Rusisë për të shkatërruar Moldavinë. Por Moska zyrtare hodhi poshtë akuzat. Nga ana tjetër, është ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov që sulmon Perëndimin, duke thënë se liderët e tij kanë vendosur të adoptojnë eksperiencat e trishta të Napoleonit dhe Hitlerit për të dëmtuar apo shkatërruar Rusinë. “Nga kjo betejë do të dalim më të fortë”, u shpreh kryediplomati.
Si gjithmonë, më i ashpër është treguar ish presidenti rus, Dmitri Medvdedev. “Presidenti amerikan Joe Biden po tregon shenja demence dhe kjo vendos në rrezik mbarë botën pasi nga ky problem mendor, Biden mund të nisë luftën e tretë botërore”, është shprehur zyrtari, i cili është zëvendës kryetar i këshillit të sigurisë në Rusi. Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka caktuar datën 21 shkurt për të mbajtur një fjalim në parlament, ku tema kryesore do të jetë lufta në Ukrainë.