Për një njeri që dikur pretendonte se e “urrente modën”, stilisti Ralph Lauren ka patur një karrierë jashtëzakonisht të gjatë dhe të suksesshme.
Kompania që ai themeloi më 1967 është tashmë një prej firmave më të mëdha në botë dhe puna që e bëri ta shpinte kompaninë ku është sot, është subjekt i një filmi të ri HBO, “Very Ralph”
Me regji të Susan Lacy, filmi dokumentar përmban intervista me një Lauren reflektues, i cili, në moshën 80 vjeç, është ende shumë i përfshirë në biznesin multimiliarda dollarësh që bart emrin e tij.
Duke reflektuar mbi filmin, Lauren i tha CNN në një email: “Ajo çfarë unë bëj është të jetuarit, dhe dokumentari HBO, përmes regjisë së Susan Lacy, e ka kapur atë përmes lenteve të ndryshme të kujtesës dhe vëzhgimit – këndvështrimit tim, familjes time, etj. ata që më kanë ndihmuar në formësimin tim dhe ata që më kanë vëzhguar përgjatë shumë dekadave. Padyshim që do të jetë një pjesë e rëndësishme e rrëfimit të historisë se kush jam dhe çfarë kam bërë“.
Pasi shqyrtoi jetën e aktores Jane Fonda dhe e zhyti veten në botën e disa prej artistëve më të mëdhenj të Amerikës, Lacy tha që ishte e interesuar të kridhej tek moda. “E kuptova që nuk isha marrë kurrë me një njeri nga fusha e modës”, tha Lacy në një intervistë telefonike.
Kush mund ta përfaqësojë me mirë se Lauren, emri i të cilit është sinonim i industrisë, dhe historia e të cilit ende nuk është treguar në një film a dokumentar. “Ai është stilisti më ikonik amerikan,” tha Lacy.
Ky është një vlerësim që është realizuar permes një filmi me metrazh të gjatë, duke thirrur edhe përfaqësuesit e mbretërisë së modës, stilistët Calvin Klein, Donna Karan, Diane von Furstenberg, modelen Naomi Campbell dhe kryeredaktoren e Vogue, Anna Wintour.
“Moda duhet të jetë e dëshirueshme, dhe Ralph e sheh atë, e kupton atë”, thotë Wintour në trailerin e filmit.
Lindur më 1939 nga emigrantë hebrenj nga Bjellorusia, Ralph Rueben Lifshitz ndryshoi emrin e tij në “Lauren” si i ri që ishte për të shmangur vëmendjen e padëshiruar që vinte nga të paturit një emër të pazakontë. Lauren ia faturon të atit artistin që është sot, pasi i ka trashëguar talentin e tij krijues, megjithatë ai e pranon që ai nuk ka aftësi për artin. Stilimi, megjithatë, thotë ai, është tjetër gjë.
Pas një kalimi të shkurtër në ushtri, Lauren punoi si shitës kravatash në Brooks Brothers. Ai shumë shpejti nisi të krijojë kravatat e tij, të qepura me dorë dhe të markuara me ndihmën e familjes së tij të madhe. “Nëna ime do të ulej atje me një kushërirën e saj dhe ato do të qepnin etiketat në pjesën e brendshme të rrobave,” thotë gruaja e Lauren me të cilën jeton prej 54 vjetësh.
Vitet e para ishin të vështira. Ricky rrëfen se kanë fjetur me dyshek në dysheme, ndërsa Lauren pranon se ka qenë i pasigurt për punën e tij si një djelmosh. “Disa nga kritikat ishin shumë të dhimbshme – mbase mendoja se jam i mirë, por nuk jam”, tha ai.
Nga kravatat, ai vazhdoi të ndërtojë një perandori, së pari me rrobaqepësinë e burrave, pastaj me veshjet e grave, përpara se të bëhej stilisti i parë që krijoi një koleksion shtëpie. Ralph Lauren u bë një markë aspirative e stilit të jetës që tejkaloi veshjen dhe premtoi se do t’u japë konsumatorëve një pjesë të ëndrrës së madhe amerikane.
Gjatë rrugës, Lauren i tejkaloi kufijtë brenda industrisë, duke sfiduar konvencionet dhe duke vendosur standarde të reja. “Ai ka mbrojtur përherë të ndryshmen”, thotë Wintour. “Nuk është një person simbolik, ‘le të merremi vetëm me këtë.”
Që në vitin 1996, ai punësoi modele si Tyson Beckford dhe Naomi Campbell për të bërë një fushatë reklamuese për veshjet sportive Polo Ralph Lauren.
Dokumentari tregon Ralph Lauren jo vetëm si një burrë vizionar biznesi, por edhe si një baba të përkushtuar dhe të pranishëm.
“Ishte një marrëveshje kurajoze që dy vajza me ngjyrë të ishin në një fushatë reklamimi në të gjithë botën”, tha Campbell.
Përfundimi i “Very Ralph” nuk është i vështirë të hamendësohet, duke pasur parasysh popullaritetin e qëndrueshëm të markës. Djali nga Bronx i mbijetoi sfidave të një industrie të ndërlikuar për të dalë në krye.
Dhe marka vazhdon të jetë ende tejet tërheqëse.
Shfaqja më e fundit e Ralph Lauren në Javën e Modës në New York u vu në skenë në një sallë të quajtur “Ralph’s Club” në Wall Street. Modelet më të mira parakaluan me veshjet e tij më saktësisht kostume prej sateni në mes të mysafirëve të cilëve u ishte kërkuar të visheshin bardhë e zi.
Në fund të shfaqjes, dhoma i ngjante një klubi xhaz pasi këngëtarja Janelle Monáe mirëpriti mysafirët për ta ndjekur atë. “Magjia e Hollywood nuk është kurrë shumë larg pistës së tij”, shkroi drejtoresha e lajmeve të modes në Vogue, Chioma Nnadi.
Ajo që shikuesit do të marrin me vete nga “Very Ralph”, ideja, tha Lacy, “Unë me të vërtetë nuk filloj me një ide të tillë. Ajo që përpiqem të bëj në të gjithë filmat e mi është lidhja e jetës me punën.”
Pastaj ajo shton: “Thelbi është, besoni në veten tuaj. Besoni në atë që ju shtrëngon në stomak dhe instinktet tuaja”.