Politika Rama, 30 minuta bisedë telefonike me Lavrov për krizën në Bjellorusi: Putin...

Rama, 30 minuta bisedë telefonike me Lavrov për krizën në Bjellorusi: Putin mbështet ndërhyrjen e OSBE

Kryeministri Edi Rama në cilësinë e kryesuesit të radhës së OSBE-së ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Sipas burimeve mësohet se biseda telefonike mes Ramës dhe Lavrov ka zgjatur 30 minuta dhe në fokus ka qenë zgjidhja e krizës në Bjellorusi.

Po të njëjtat burime kanë theksuar se nga telefonata mes tyre, Lavrov i ka bërë të ditur se presidenti Putin ka qenë dakord me propozimin e bërë që rolin e ndërmjetësuesit për krizën ta marrë OSBE-ja. Shefit të qeverisë shqiptare i është komuinikuar se Putin i ka kërkuar Lushankos që të pranojë rolin e OSBE në zgjidhjen e kësaj situate.

Në lidhje me situatën në Bjellorusi ka reaguar dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, nëpërmjet një deklarate shprehet se SHBA mbetet e shqetësuar nga të metat serioze të zgjedhjeve në Bjellorusi dhe dënon forcën e ushtruar ndaj protestuesve, të cilët nuk pajtohen me fitoren e zgjedhjeve nga Lukashenko, sipas të cilëve janë të vjedhura.

Ai i bën thirrje Bjellorusisë të pranojë ofertën e kryesisë së OSBE-së, me në krye Edi Ramën, për të lehtësuar dialogun dhe të angazhojë të gjithë palët e interesuara.

Këshilli Europian dhe Presidenti i saj Charles Michel ka pranuar propozimin e kryeministrit Rama në cilësinë e kreut të OSBE për të zhvilluar një takim me presidentin bjellorus Lukashenko dhe lideren e opozitës Svetlana Tikhanovkaya.

“Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër dhe do të jemi të gatshëm të kontribuojmë në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës në mënyrë paqësore. BE mbështet plotësisht propozimet e OSBE-së për dialog në Bjellorusi dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për t’i përmirësuar ato”, thuhet në pikën 8 të deklaratës së Këshillit Europian.

Qëndrimi dhe opsioni i kryeministri Rama për zgjidhjen e krizës u mbështet edhe nga presidentja e KE-së. Më herët kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale njoftoi se ishte vënë në lëvizje për krijimin e kanaleve të bisedimeve për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi.

Rama sqaron se po ndërmjetësohet, ndërsa shprehet se “Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun.”