Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që 4 viktimat e protestës së 21 Janarit 2011, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj të shpallen “Dëshmorë të Atdheut”. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama gjatë një ceremonie përkujtimore në 10-vjetorin e ngjarjes.
“Sot bëhen plot 10 vjet nga tragjedia e 21 Janarit dhe në këtë 10-vjetor qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vendosur të japë titullin e lartë të “Dëshmorit të Atdheut” për të katër dëshmorët e protestës paqësore të 21 Janarit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se dita e sotme është një ditë reflektimi dhe se ngjarja e 21 Janarit ka ndikuar në dy drejtime në vend. Fillimisht ai renditi marrëdhënien që qeveria e tij ka vendosur përballë protestave ndërsa së dyti, punën që është bërë për transformimin e drejtësisë. Sipas kryeministrit, 21 Janari nxori në pah llumin e politikës dhe drejtësisë në vend.
“Sot është dita për të bërë një reflektim pas këtij rrugëtimi 10-vjeçar në përpjekjen për të kuptuar bashkarisht se si ajo ngjarje tragjike dhe 4 jetë të pafajshme të humbura kanë ndikuar historinë tonë të re në dy drejtime themelore. Nga njëra anë në drejtim të marrëdhënies së qeverisë me protestën dhe nga ana tjetër në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë. 21 Janari, përtej plagëve të pangushëllueshme që hapi në shpirtin e familjeve të 4 dëshmorëve dhe përtej plagës së madhe që hapi në shoqërinë tonë shërbeu për të nxjerrë në pah në sytë e të gjithëve llumin e politikës dhe të drejtësisë, të politikës si mjet në funksion të pushtetit dhe sistemi i drejtësisë si një mur i pakapërcyeshëm i këtij vendi”, tha Rama.
Rama u shpreh se të gjithë fajtorët do të marrin drejtësinë e merituar. “Drejtësia vonon, por nuk harron”, tha ndër të tjera kreu i ekzekutivit. Ai shtoi në fund se drejtësia do të bëjë punën e vet edhe ndaj gjykatësve e prokurorëve që sipas Ramës, “vranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin me palë të treta” viktimat e 21 Janarit.
“Nuk kemi pasur mundësi që të bëjmë më shumë, por kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të mos lënë vetëm të gjithë të afërmit, familjarët dhe të gjitha fëmijët e të rënëve të 21 Janarit, çka na jep atë lehtësimin e nevojshëm për të qenë përpara kujtimit të tyre jo me kokën ulur për këtë pjesë. Nuk jemi ende me kokën lart për aq kohë sa ky proces nuk ka përfunduar dhe për sa kohë ka ende llum për të pastruar dhe ata që janë pastruar nga sistemi akoma nuk kanë dhënë llogari, por patjetër që mund t’i shohim në sy për gjithçka që na është dashur të bëjmë dhe do të bëjmë për familjet e tyre. Sot u dorëzojmë familjeve simbolin e “Dëshmorit të Atdheut” për të dashurit e tyre dhe jam i bindur që prania e atij simboli në të 4 shtëpitë do të jetë pikë e dukshme referimi për vështrimin e fëmijëve kur të mendojnë për prindërit e tyre, jo thjesht në sensin e vlerësimit, por në sensin e besimit që drejtësia do ta bëjë të sajën dhe ata të cilët i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin me palë të treta të veshur nën togën e zezë të gjykatësve do përgjigjen. Do përgjigjen siç do përgjigjen të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që sot janë angazhuar fort për ta bërë 25 Prillin një referendum kundër kësaj qeverie bashkë me udhëheqësin e referendumit, por këtu nuk është koha për të folur për këtë”, theksoi Rama.