Kryeministri Edi Rama ka prezantuar Paketën e Rezistencës Sociale për të përballuar rritjen e çmimeve si pasojë e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në një komunikim për mediat, Rama bëri të ditura 7 pika të kësaj paketë, që do t’u vijnë në ndihmë familjeve më në nevojë për të përballuar produktet ushqimore të shportës, të cilat kanë njohur rritje të çmimeve.
“Sot ne kemi përfunduar dhe kemi miratuar paketën e rezistencës sociale për të vazhduar ta përballojmë goditjen e krizës energjetike pa e rritur çmimin për familjet dhe për biznesin e vogël si dhe për të kompensuar goditjen nga çmimet e shportës të atyre që janë më pak të mbrojtur.
Paketa e rezistencës sociale ka 7 pika:
1-Do të derdhim menjëherë 3.6 miliardë Lekë ose 36 milionë Dollarë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673 mijë e 542 pensionistë.
2-Për 434,000 përfitues ne do të kompensojmë me lekë në dorë rritjen e çmimeve të shportës e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose 25 mijë Lekë të vjetra plus. Qeveria do të japë 30 mijë Lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët që marrin më pak se gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistë që jetojnë vetëm, persona me aftësi të kufizuara, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.
3-Mbështetja për fermerët me naftë, taksa do të shkojë në 1.4 miliardë Lekë ose 14 milionë Dollarë me një shtesë plus prej 5 milionë Dollarësh që do të derdhet menjëherë.
4-Do të mbështesim të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane qytetase dhe ndërqytetase duke derdhur menjëherë 500 milionë Lekë ose 5 milionë Dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës në mënyrë që asnjë udhëtar mos preket nga ndryshimi i çmimit qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit, qoftë kur hipën në autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin.
5-Do ta sjellim 2 muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë Lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë Lekë të vjetra si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 1.5 në 2 milionë të vjetra.
6-Do tërheq dy muaj përpara dhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale e cila në Prill do të bëhet 320 mijë Lekë të vjetra.
7-Energjia, kemi vendosur menjëherë të shtojmë 20 miliardë Lekë të tjera, 200 milionë Dollarë financimin e mburojës së çmimit të energjisë që të vazhdojnë familjet, të vazhdojnë bizneset e vogla të paguajnë sikur këtu s’ka ndodhur asgjë, energjinë elektrike”.