Kryesocialisti Edi Rama e nisi fjalimin e tij në Kongresin e PS-së me akuza dhe sulme për kundërshtarin e tij historik politik, Sali Berishën.
Ndonëse nuk e përmendi me emër, Rama e etiketoi Berishën si fajtorin për gjendjen në të cilën ndodhet Partia Demokratike. E sipas tij, këto probleme në parti janë sjellë edhe në Kuvend.
“Konflikti brutal politik e ka kthyer Parlamentin në shëmbëlltyrën më acaruese për nervat e njerëzve të zakonshëm dhe për këdo që politikën e sheh si një mundësi, për të dëgjuar dhe kuptuar se çfarë ndodh dhe mendojnë ato që janë të përfshirë në arenën e saj, si një mundësi për të bërë opuse të mira bashkë me të tjerët dhe jo për të hedhur helm për të tjerët. Ne mund të kemi plot arsye për të thënë se ai konflikt skandaloz, por ne nuk jemi të pafajshëm, përkundrazi dhe faji unë është se nuk jemi burim i atij konflikti, dihet që burimi është tjetër kush, i njëjti që mori peng sa mundi e kurdo mundi Shqipërinë përmes duarve të mbrapshta shqiptare dhe që tani më e ka katandisur Partinë Demokratike në një cisternë të ndryshkur helmi që nuk i bën punë as dreqit të vet, i njëjti që e ndot përditë ajrin e jetës politike, i njëjti që helmon përditë turmën e tkurrur, faji ynë është se ne jo vetëm nuk e kemi bërë dallimin me bartësit e konfliktit me atë parlament të shëmtuar, por kemi bërë të gjithë përpjekjen e duhur për ta bërë të qartë këtë dalim”, tha Rama.
Ai falënderoi në emër të të gjithë socialistëve për punën e saj, ish-kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
“Është kjo koha e duhur për të nisur një investim të ri për kapitalin njerëzor të PS dhe për të punuar me një ambicie të re, paralelisht jo vetëm për Shqipërinë 2030, por edhe PS 2030. Dua të ndalem një moment për të përshëndetur e falënderuar Lindita Nikollën. Shërbeu si kryetare e Kuvendit në 3 vjet jo të lehta, bëri më të mirën e saj si gjithmonë, qysh ditën e parë të shërbimit publik si mësuese. Faleminderit Lindita për forcën e shembullit që ti je!”