Aktualitet Rama: Ambicia jonë, shërbim shëndetësor si i Turqisë. E mundur me mbështetjen...

Rama: Ambicia jonë, shërbim shëndetësor si i Turqisë. E mundur me mbështetjen e Erdogan

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Edi Rama nuk i kurseu falenderimet për presidentin Erdogan. Teksa u ndal tek spitali i Fierit, Rama tha se ambicia e qeverisë shqiptare është që shërbimi ynë shëndetësor t’i përngjajë atij turk. Kjo tha Rama nuk është diçka e pamundur sa kohë Shqipëria ka mbështetjen e presidentit Erdogan.

“Sot është një ditë e rëndësishme për ne dhe një ditë e bukur, siç është çdo ditë kur hapim dyert për të pritur miqtë nga vendi juaj dhe po ashtu sot është një ditë shumë e veçantë sepse kemi qenë së bashku në kurorëzimin e një përpjekje të jashtëzakonshme miqësore, vëllazërore, dashamirëse, për të mbështetur rilindjen e një komuniteti, aty ku tërmeti goditi shumë fort dhe ku sot 522 familje janë në kushte shumë më të mira se ato që kishin para tërmetit. Falenderoj presidentin që u gjet pranë nesh që në sekondën e parë, u angazhua publikisht i pari, me një angazhim konkret dhe që e mbajti fjalën, por kjo e fundit nuk përbën lajm, kur vjen puna për Erdogan, sepse ai patjetër atë që thotë e bën.

Siç thotë profeti Muhamed kush nuk i falenderon njerëzit, nuk e ka falenderuar Zotin. Dhe për këtë vërtetë, falenderimet nuk janë kurrë të mjaftueshme. Ndërkohë që një vit më parë kemi firmosur në Ankara një sërë marrëveshjes dhe një deklaratë për të formuar këshillin e bashkëpunimit të nivelit të lartë të lartë.

Sot ne kemi një vit nismash konkrete dhe realizimesh konkrete që dëshmojnë vlerën e shtuar të këtij këshilli dhe dëshmojnë se takimi i Ankarasë ishte çelje e një kapitulli të ri midis nesh. Në atë takim unë nuk e vura bastin për spitalin e Fierit se do e kisha humbur. Fatmirësisht nuk vura bast, aq më tepër presidenti nuk vë baste mesa jam në dijeni.

Ëndrra jonë, ambicia është që shërbimi ynë shëndetësor të marrë përditë e më shumë trajtat e shërbimit shëndetësor turk dhe t’i përngjajë në ekselencën e vet dhe nëse deri dje kjo mund të dukej e pamundur, sot askujt nuk i duket e pamundur sa kohë në këtë mbështetjen e presidentit Erdogan dhe të autoriteteve të qeverisë turke”, tha Rama.