Kryesore Rama: Ata që jetojnë në çadër do të futen në shtëpi të...

Rama: Ata që jetojnë në çadër do të futen në shtëpi të re brenda 2020-ës

Gjatë mbledhjes së tretë të Komitetit të Rindërtimit, kryeministri Edi Rama bëri të ditur objektivat e qeverisë pas situatës së krijuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Kreu i ekzekutivit tha se pret që në pranverën e vitit 2020, banorët që janë në fshat dhe që janë duke jetuar në çadra të akomodohen në shtëpitë e reja.

“Objektivi është që brenda 2020-s të gjithë ata që sot jetojnë në fshat që për arsye legjitime nuk janë spostuar në sistemin e qirave në zonën urbane dhe thjesht kanë kërkuar një çadër dimërore në oborret e tyre duhet të futen në shtëpi të re. Asnjë nuk mundet dot ta lejojmë që të kalojnë vitin e ri 2021 në çadër. Ky është objektivi i parë. Besoj siç do ta shihni nga prezantimi i ministres ne do jemi gati që me pranverën, maksimalisht Marsin, të fillojmë të bëjmë spostimin e familjeve që jetojnë në fshat nga çadrat në shtëpitë e reja”, tha Rama.

Gjatë 9 mujorit të parë, Rama tha se duhet të rikonstruktohen të gjitha institucionet publike të dëmtuara. Për sa i përket lagjeve të reja, ai tha se objektivi është që brenda 6 mujorit të parë të vitit të ketë nisur puna.

“Në këtë pikë të dytë, spitale, shkollat, qendrat shëndetësore duhet të rikonstruktohen brenda 9 mujorit të parë. Viti i ri shkollor duhet të nisë në shkolla të reja, shumë më të mira nga ato që kishin. Së shpejti, lagjet e reja, ambicia është që brenda 6 mujorit të parë t’i kemi në kantier. Natyrisht duan më shumë se bëhet fjalë për një ndërhyrje masive, por bindja është që në fund të vitit 2021-shit të kenë filluar në pjesën më të madhe akomodimet e banorëve”, tha Rama.

Së treti kreu i qeverisë renditi edhe donacionet. Ai bëri të ditur shifrat e mbledhura deri më tani nga donatorët, ndërsa theksoi se me konferencën e donatorëve apo aktivitetet me vendet e Lindjes së mesme të rritet shifra.

“Pika e tretë lidhet me donacionet. U përmend vetëm sasia e donacioneve të vogla. Kemi 65.57 milionë lekë të reja nga donatorët e vegjël. Kemi 414 milionë lekë të reja, 8.64 milionë Euro dhe 1.01 milionë dollarë nga donatorë më të mëdhenj dhe kemi 21 milionë angazhime të marra nga donatorë ndërkombëtarë. Kjo e donatorëve ndërkombëtarë është një shifër që besoj se do të lëvizë në mënyrë të konsiderueshme si rezultat i ndërveprimeve që ne po bëjmë dhe patjetër edhe me kurorëzimin e konferencës së donatorëve thirrur nga Presidentja e KE me të gjithë vendet anëtare të BE-së dhe me disa aktivitete të tjera në vendet e Lindjes së Mesme ku jemi aktualisht shumë aktivë”, tha Rama.