Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për mediat nga Ohri, aty ku po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur”, deklaroi se “të thuash që Ballkani i Hapur është projekt i Rusisë është njësoj si të thuash që Bashkimi Evropian është Jugosllavia e Re”.
Pyetje: A keni një reagim ndaj deklaratave të ministrit te Jashtem rus Sergei Lavrov që ka mbështetur Open Balkan por ka deklaruar se BE kërkon Balkanin e mbyllur?
Edi Rama: “Të peshkohesh kaq kollaj nga sarkazma e një personazhi të mirënjohur botërisht për gjuhën e tij sarkastike e pastaj nga manipulimi i kësaj sarkazme nga ata që i fryjnë zjarrit të ndasisë dhe urrejtjes për interesa të politikës së ditës në katundet ballkanike, është për të ardhur keq.
Nëse zotëria do të ishte promovuesi apo mbështetësi i Ballkanit të hapur, Ballkani do ishte i hapur minimalisht për të. Por ai nuk ka mundur të hyjë në Ballkan pasi është tërësisht i mbyllur për të, ndaj s’ka marrë dot leje për të hyrë në Ballkan nga vendet e Ballkanit që të jemi të qartë.
“Nuk flas kurrë për opozitat shqiptare kur nuk jam në Shqipëri. Të thuash që Ballkani i Hapur është projekt i Rusisë është njësoj si të thuash që Bashkimi Evropian është Jugosllavia e Re”, u shpreh kryeministri.
Kur u pyet se çfarë mund të bëhet më tepër për të bindur Kosovën që të përfshihet në këtë nismë, Rama u përgjigj: “Kosova është sovrane dhe i merr vetë vendimet për veten e vet. Vendin në tryezën e “Ballkanit të Hapur” e ka aty. Askush nuk e mbush dot përveç vetë Kosovës. Unë nuk dua të them asgjë më shumë sesa ajo që kam pasur për të thënë. Ftesa është gjithmonë e hapur, por respektoj vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta lënë vendin bosh”.