Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas vizitës së Lulzim Bashës në Fier, ku u prit nga dhjetëra qytetarë të cilët nuk respektonin masat antiCovid.
Dy botë të ndryshme krahason Rama mes PS-së dhe PD-së. Për këta të fundit shprehet se “bëjnë përsheshe me virus për politikë pa din e as iman”.
DY BOTË – Njëra lufton për të shpëtuar jetën e të gjithëve pa dallim, tjetra bën përsheshe me virus për politikë pa din…
Posted by Edi Rama on Tuesday, 30 March 2021
Ndërkohë qeveria socialiste sipas kryeministrit po lufton për të shpëtuar jetën e sa më shumë njerëzve nga koronavirusi. Rama ka ironizuar kreun e demokratëve duke u shprehur se për vete ka hipur mbi makinë ndërsa ata që janë poshtë tij “ta hajë kush ta hajë”.
“Dy botë-Njëra lufton për të shpëtuar jetën e të gjithëve pa dallim, tjetra bën përsheshe me virus për politikë pa din e as iman… Vazhdon vaksinimi masiv në gjithë Shqipërinë. Vazhdon paralelisht edhe infektimi masiv, për vete hipur mbi makinë, nën këmbë ta hajë kush ta hajë”, shkruante Rama.
Më herët, kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një vizitë në Fier. Ai u prit nga dhjetëra qytetarë. Siç duket nga këto pamje të shpërndara nga vetë Basha, një pjesë e madhe e qytetarëve nuk mbajnë maska ndërkohë që nuk respektohet as distanca fizike.