Kosova këtë të hënë feston 12-vjetorin e shpalljes shtet i pavarur. Teksa në Kosovë do të ketë aktivitete dhe organizime nga më të ndryshmet, edhe politika shqiptare nuk ka harruar të urojë. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që urimin ta bëjë përmes një videoje në “Facebook”.
“Urime ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”, shkruan Rama.
Po në rrjetet sociale uroi edhe kreu i PD, Lulzim Basha. Ai theksoi se Kosova do të përballojë me sukses sfidat që e presin.
“Të dashur vëllezër e motra të Kosovës, në ditën e dytë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ju uroj nga zemra gëzuar përvjetorin e 12-të të shtetit të Kosovës! Këto nuk kanë qenë vite të lehta për Kosovën, sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit. Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh”, shkruan Basha.
Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh e bindur se shteti kosovar do të vijojë të punojë intensivisht për ta integruar vendin në BE.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur, martirja e përgjakur në Evropën e kohëve moderne, ëndrra e realizuar e të rënëve për liri! 12-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep rastin fatlum që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të uroj me gjithë zemër motrat dhe vëllezërit shqiptarë, e bashkë me ta edhe të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës për ketë ngjarje të shënuar, e njëkohësisht të shpreh bindjen time të palëkundur se kjo ditë e veçantë, do të gjenerojë më shumë energji dhe besim, më shumë përkushtim dhe vendosmëri, për të punuar pa u lodhur asnjëherë për Kosovën europiane”, shkruan Kryemadhi.