Nga Leonard Karaj
Shqipëria po përjeton qeverisjen më të keqe të tri dekadave të fundit, por paradoksalisht, pritet të qëndrojë “stand by” edhe për vite të tjera. Kontributori kryesor i kësaj gjendje frustruese, e cila nga njëra anë po shndërron Ramën në një Putin të dytë dhe nga ana tjetër po detyron shqiptarët që të braktisin masivisht vendin, është opozita në përgjithësi dhe “linja bashiste” në veçanti. Ankthin dhe agoninë e kësaj situate ia shtoi edhe deklarata e Alibeajt, për nxjerrje të kandidatëve të vet në 61 bashkitë e vendit, për zgjedhjet vendore të 2023-it. Edhe për më të marrosurit ndaj ish-liderit të selisë blu, ky është sinjal i qartë i qepallimit të radhës mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Madje këtë herë nuk është dashur as selia e Kuvendit. Ka mjaftuar përdorimi (me dashje sigurisht), i marionetave që ata kanë në të dyja kampet respektive, për të vulosur dakordësinë, e cila i jep mazhorancës teorikisht më shumë se 90% të fitores në tavolinë, ndërsa opozitës bashiste, ndoshta një shpresë rikthimi, që sot me të drejtë nga mjaft syresh mes demokratësh, konsiderohet pengmarrje.
Duhet thënë se që në nisje të gjoja negociatave për bashkim brenda për brenda PD-së, grupimi i përfaqësuar nga Alibeaj (kupto Basha), hyri me një ide fikse: faktorizim me çdo kusht paçka numrave gjithnjë e në zbritje që minorancën e “6 marsit” e bëjnë akoma edhe më minorancë (në fund të fundit, çfarë kanë për të humbur….). Edhe pse në daljen për mediat u qyrravitën duke sjellë gjoja në pah kushte të vendosura nga Rithemelimi, vlen të saktësohet se dalldia, hileja më e madhe, ishte vendosja e votës unanime nga “bashistët”. Pra, për ta kuptuar më qartë: pas krijimit të një Këshilli të Lartë mes përfaqësues nga të dyja palët (indirekt kërkohej një shkrirje totale të kryesisë aktuale), mjaftonte që dikush nga anëtarët e tij (bashistët), që do vuloste kandidatët që do dilnin nga gjysmë-primaret dhe gjysmë-sondazhet, të kundërshtonte, pavarësisht votës së anëtarësisë në bashkinë përkatëse, ai kandidat nuk do mund të ishte i tillë, në zgjedhjet vendore. Ky ishte kushti i panegociueshëm i Alibeajt.
Imagjinoni pak: “x” kandidat fiton primaret dhe në sondazhe në një “y” bashki për të garuar në zgjedhje, por këtë “x” nuk e pëlqen Alibeaj & CO (ose anasjelltas, Rithemelimi), atëherë edhe pse është më i votuari dhe atë që kërkon anëtarësia, ai nuk mund të jetë kandidat (!!!) Këtë gjë kërkuan në gjoja negociata “logoja Alibeaj”, ndaj, duhet qartësuar një herë e mirë, se ata që bërtisnin për kushte, vunë kushtin më të rëndë të mundshëm dhe totalisht të paparanueshëm në një proces që vetë ata e kanë pranuar si të tillë si në statutin e 12 korrikut, por edhe të 11 apo 18 dhjetorit. Pra, të gjejmë një sebep, që negociatat të dështojnë me çdo kusht. Këtë gjë duhet ta dinë fare mirë demokratët, sidomos ata që mbështesin grupimin Alibeaj.
Në këto rrethana, pikë së pari kurioziteti më i madh pritet të jetë karshi emrave që ky grupim do arrijë të sjellë si kandidatë. A thua do ketë vërtetë “guximtarë” që do të pranojnë të bëhen vegla, vetëm e vetëm që të shpëtojnë karrierat në tatëpjetë të frikshme të politikanëve të “Listës Basha”?! Dilemat janë të mëdha, por nisur nga rreziku i ndasive që krijojnë vetvetiu primaret; nisur edhe nga ndërhyrjet e parasë së pistë, që në të tillë raste gëlon lumë; nisur edhe nga “dashamirësia” e Ramës për të mos lënë “në baltë” siamezin e kundërt të tij në PD (kupto Basha), të dhënat të çojnë në minimalisht një tri-polarizim, identik sikundër ndodhi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Kjo është pak, por gati e sigurt!
Dhe për të arritur deri këtu dyshja Rama-Basha (janë bashkë në kuptimin e plotë të fjalës), kanë përdorur në mënyrë të frikshme Gjykatën.
Është fakt se edhe pse më 21 mars 2022, ora 17:23, Lulzim Basha dha publikisht dorëheqjen, ende sot e kësaj dite ky i fundit rezulton të jetë kryetar i Partisë Demokratike. Po, po. Ende sot në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë nuk është dërguar asnjë shkresë nga ana e atyre që pretendojnë se kanë “vulën e vërtetë” të demokratëve, për regjistrimin e këtij vendimi tërësisht personal. Pra, që të kuptohemi, dorëheqja ishte/është vullnet personal i Lulzim Bashë dhe nuk kërkon asnjëlloj miratimi apo refuzimi nga ndonjë strukturë e Partisë Demokratike.
Atëherë si është e mundur që këta që bërtasin nga mëngjesi deri në darkë për legjitimitet dhe ligjshmëri nuk ulen një minutë para kompjuterit për të shkruar dy gisht letër dhe ta rregjistrojnë edhe në Gjykatë largimin e Lulzim Bashës? Pikërisht këtu qëndron hileja.
Në pritje të shqyrtimit nga Gjykata e Apelit të ankimit të bërë nga Alibeaj-Bardhi për statutin e 11 dhjetorit, Lulzim Basha shpreson fort tek një vendim që do ta rikthente në krye të PD-së, madje sikur gjoja nuk ka ndodhur asgjë. Këtu isha, këtu jam! Dhe për realizimin e këtij skenari ogurzi për opozitën e këtij vendi, dhe për demokratët në veçanti, në regji është ngjitur jo vetëm media thelbësisht majtiste (është gati apokaliptike kur sheh në TV personazhe si Frrok Çupi, Idajet Beqiri, Mero Baze, etj, të cilët “flenë” me Ramën nën jastëk, që mbrojnë Lulzim Bashën), por edhe vetë Edi Rama, i cili mban fort në dorë “levat e Apelit”. Po, është e vërtetë se ligjërisht Gjykata e Apelit nuk ka afate ligjore për shqyrtimin e një ankimi, por nisur nga rëndësia e madhe që ka ky vendim është e palogjikshme dhe aspak morale, që ai të qëndrojë në radhë sikundër të gjitha apelimet e tjera.
Arsyeja vetëkuptohet: – që Rithemelimi të detyrohet të rregjistrohet në zgjedhjet e 2023-it sikundër në 6 marsin e këtij viti, pra nën një logo tjetër, dhe jo nën atë të PD-së zyrtare. Në këtë kontekst, është e qartë se “dashuria” Rama-Basha vijon si dikur, madje heraherës intesifikohet me puthje e përqafime edhe në kuvend, ku linja basishte në të paktën tri raste ka votuar identik sikundër ka dashur mazhoranca. Ndaj të gjitha këto veprime të bëjnë të besosh katërcipërisht se edhe zgjedhjet e radhës janë shitur në tavolinë. Opozita në përgjithësi dhe demokratët në veçanti janë të paralajmëruar…