Politika Rama-Basha replika në Twitter për “detin”

Rama-Basha replika në Twitter për “detin”

Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë replikuar në Twitter me njëri-tjetrin për çështjen e zgjerimit të Greqisë në Detin Jon. Ka qenë një reagim zyrtar i Partisë Demokratike që i bënte thirrje Qeverisë të tregonte transparencë për këtë çështje, që ngjalli reagimin e Kryeministrit Edi Rama.

Ky i fundit iu përgjigj me ironi Bashës, duke thënë: “Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD!Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë Artist që s’e ka shokun për të bërë sikur? Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s’u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit”!

Menjëherë ka reaguar kryedemokrati Basha, duke iu përgjigjur po me ironi Ramës: “Lëri dërdëllitjet prej rrugaçi Edi Rama. Bëj transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin. Historitë me sapun ruaji se do të duhen më vonë”.

Kryeministri Rama ka reaguar sërish, duke i kujtuar Bashës marrëveshjen për detin me Greqinë që e rrëzoi Gjykata Kushtetuese.

“Negociatat Lulëzim janë ndalur prej kohësh, që pas ndryshimit të qeverive në Greqi! S’ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes! Po ti mos bëj sikur nxehesh, se s’ta kam unë fajin kur bën sikur s’je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK! Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s’ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s’e bëni dot”.

Pas këtij statusi, Basha pati një tjetër reagim: “Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve.”