Kryeministri Edi Rama dhuroi paraditen e kësaj të hëne gjak, nismë së cilës iu bashkuan edhe punonjësit e Kryeministrisë. Punonjësit e Kryqit të Kuq, të cilët ishin në godinën e qeverisë, pohuan se situata sa i takon dhurimit të gjakut paraqitet më mirë në krahasim me periudhën e pandemisë.
Megjithatë, ata theksuan se kanë nevojë për ndihmën e institucioneve, pasi deri më sot, dhuruesit më të shumtë kanë qenë studentët. Si mjekët ashtu edhe vetë kryeministri Edi Rama e vunë theksin tek fakti se dhurimi i gjakut jo vetëm që nuk përbën rrezik, por i bën shumë mirë trupit.
Mjekja: Tani kemi filluar me institucionet, kështu që jeni fiks në kohën e duhur për të ndërgjegjësuar edhe institucionet që mos të tregohen indiferente. Duhet ta mësojnë që dhurimi i gjakut nuk përbën rrezikshmëri.
Rama: Përkundrazi.
Mjekja: I bën shumë mirë trupit, ne të dy e dimë shumë mirë këtë gjë.
Rama: Sa herë ma ke pirë gjakun? Sa vite kam?
Mjekja: Në bashki, nuk e di sesa herë…
Rama: Çdo ditë e kemi bërë.
Mjekja: Po. Tani është radha e institucioneve. Deri tani kanë qenë studentë, kështu që tani kam nevojë për institucionet.
Mjekja: I bën mirë të gjithëve, përveç atyre që kanë probleme shëndetësore.