Politika Rama, batuta në Kukës: Kur i thashë Majkos do të shkosh në...

Rama, batuta në Kukës: Kur i thashë Majkos do të shkosh në Kukës, më pa sikur po e çoja në internim…

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me qytetarët e Kukësit për t’i falënderuar për votën në 14 maj. Ai theksoi se fitorja e Rexhë Byberit në Tropojë dhe ajo e Safet Gjicit në Kukës përbën një rezultat të jashtëzakonshëm për Partinë Socialiste.

“Kontrata e Safetit ka një problem se është shkruar dhe shpërndarë kur nuk mendonim se do fitonim dhe Tropojën, kështuqë Safet nuk dua absolutisht që ta ul vlerën e fitores së Kukësit dhe rëndësinë e fitores tënde, por dua të them që ke hyre në një fazë të re të historisë që të gjitha rrugët të çojnë në Tropojë, mos u mërzit. Mos u mërzit se këta të Tropojës duan të dalin fare nga kufijtë, në Plavë e Guci se e tha Rexha ne kemi rrugët andej, e pastaj mbrapa në Berlin.

Në një farë mënyre këto lloj hallesh paçim se janë më të ëmbla sepse janë energjizuese e motivuese sesa hallet dhe problemet që kanë ata që dolën ashtu si dolën. Dua të them që sot Rexha bashkë me shokë dhe miq nga Tropoja kanë ardhur, por për Tropojën do bëjmë një falenderim të veçantë në Tropojë, kështuqë e hypëm Rexhën këtu sipër meqë ka ardh, por faktikisht jemi mbledhur për të falenderuar posaçërisht të gjithë ju që jeni themeli i fitores së PS këtu në Kukës. Nuk dua të lë mënjanë ata që kontribuan në Has, ne kemi dhe një rezultat tjetër që është më i jashtëzakonshëm që është PS forcë e parë. Duhet të jemi shumë realistë për këtë, duhet ta kuptojmë se ça është kjo që ka ndodhur dhe të mos i japim vetes një vetëkënaqësi apo merita që nuk i kemi. Sepse këtu ka pasur disa faktorë që nuk kanë pasur të bëjnë domosdoshmërisht me çfarë kemi bërë ne, por me situatën politike.”

Rama deklaroi se këto dy bashki ishin te lista e 11 të diskutueshmeve e megjithatë fryma në takimet elektorale dhe rezultatet e mëvonshme provuan të kundërtën.

“Edhe Kukësin e Tropojën i llogarisja te ato 11 të diskutueshmet, megjithëse nga Marsi në Prill dhe sidomos në fund Prilli e fillim Maji, sondazhet filluan të ndryshojnë në mënyrë të ccuditshme. U bë shumë e ngushtë diferenca dhe ajo që është më inkurajuese dhe kisha frikë ta besoja ishte që trendi ishte vazhdimisht në rritje dhe që reflektohej dhe te fryma që gjenim në territor.”

Nuk munguan as batutat në këtë takim.

“Një rol të veçantë në këtë qark ka pasur dhe Pandi dhe dua ta falenderoj për këtë dhe dua t’i kujtoj se kur i kam thënë në Kryesi do të shkosh në Kukës, më pa sikur po e çoja në internim, do shkosh në Kukës i thashë nuk ke ça mendohesh fare, në darkë më çoi mesazh e më tha ore Edi seriozisht e ke ti?! Sepse isha i bindur 100% që Pandi do krijonte një atmosferë pozitive dhe mbi të gjitha do sillte atë që thotë Safeti, Pandi është për politikë, unë jam kalë pune, megjithëse po sillet si kalë karroce. Se më thotë mua unë kali jam, karrocën e kam tani më thotë mua ngarkoje ti që ta çoj unë në…Se kalë me karrocën bosh si duhet njeriu!”