Kryeministri Edi Rama ka bërë një parashikim gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS, ku tha se Helena Kaçe, vajza që mbajti fjalën hapëse në punimet e Kongresit, do të jetë me shumë gjasa drejtuese e kësaj force politike në të ardhmen.
Ram tha me shaka se ai në atë ditë nuk do të jetë më, por sipas tij, do të jetë dëshmitar Pandeli Majko, të cilin e konsideroi të vetmin të pavdekshëm në PS.
Helena Kaçe është pjesë e Akademisë Politike.
“E dashur Helena, unë e ndoqa me vëmendje fjalën tënde dhe me thënë të drejtën u surprizova sepse si hera e parë përballë një audience kaq të madhe bëre vetëm një lapsur kur the se paga minimale është 900 euro, ndërkohë që paga minimale është 400 euro, por ajo mesatare 900 euro. Megjithëse nuk di të bëj parashikime për jetën e dikujt e as nuk hedh fall, por do ia lejoj vetes një parashikim që koha do e tregojë, mbase kur unë nuk do jem më dëshmitar i kësaj bote.
Ti Helena një ditë me shumë gjasa do jesh këtu ku jam unë udhëheqëse e PS. Me këtë që të thashë sapo ta kam hapur një problem, se nga ky moment ti hyre e buzëqeshur, por kur të dalësh do kesh shumë sy që do të shohim me sy tjetër. Por këtë konsideroje si një favor, sepse kush nuk ka shumë kundërshtar në rrugën e vetë nuk ngjitet dot në majë.
Do kem dëshmitar Pandi Majkon kur të mos jem më, sepse ai është i vetmi i pavdekshëm që kemi këtu. Kur Helena të bëhet udhëheqëse, Pandi do dëshmojë një ditë që e ka thënë dikush nga ata, më duket ka qenë Edi Rama. Se Pandi kushedi sesa do ketë përcjellë në Sharrë apo Tufinë sepse është edhe mik me Lali Erin edhe ua gjen varret aty ku do”, tha Rama.