Dita e tretë dhe e fundit e Kongresit të Partisë Socialiste doli nga salla e mbyllur e Pallatit të Kongreseve dhe u zhvendos në bulevardin që ndan godinën e këtij pallati me Presidencën, si për të sfiduar Ilir Metën që të hënën ka thirrur në të njëjtin vend qytetarët kundër atij që e quan “grusht shteti”.
Në rreth 40 minuta fjalim që mbajti para anëtarëve të FRESSH-it dhe të drejtuesve të tjerë socialistë e përfaqësues të kabinetit qeveritar dhe të Parlamentit, Kryeministri Edi Rama vendosi theksin tek nevoja për ndryshim brenda kësaj organizate, por pa harruar edhe shënjestrimet në adresë të godinës që kishte përballe me foltoren nga ku po fliste. Kryeministri e mori Ilir Metën si shembulli i politikanit që nuk duhet ndjekur nga të rinjtë socialistë.
“Besëlidhja dhe Besëlikja…nuk është ky debati, kush është me besëlidhjen dhe kush është me besëliken. Është debat pakuptim, shterpë dhe degradim i madh dhe goditje e shpresës së ne këtë vend mund të jetohet normalisht dhe se ky vend nuk është peng i atyre që shfaqen në televizor sikur janë ata dhe pas tyre nuk ka asgjë tjetër”, deklaroi Rama.
Rama akuzohet nga Presidenti Ilir Meta dhe opozita se po përpiqet që të rikthejë vendin nën diktaturë duke përvetësuar të gjitha pushtetet, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese dhe se po përpiqet që të kufizojë fjalën e lirë përmes nismës së njohur si “paketa antishpifje”. Kryeministri i rrëzoi këto akuza duke pretenduar se sot liria e shprehjes është më e madhe se kurrë. Si shembull mori sërish Metën.
“Mjafton të dëgjosh këtë që keni mbrapa ju (Presidentin Ilir Meta) për të kuptuar se deri ku shkon në Shqipëri liria për t’ja futur kot dhe askush nuk të thotë gjë dhe kjo është në të gjitha nivelet”, u shpreh ai.
Reagimi nga Presidenca ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama nuk mungoi. Zëdhënësi i Ilir Metës, Tedi Blushi iu përgjigj përmes rrjeteve sociale.
“Gruan e Bilalit e shqetëson me të drejtë fjala Besëlidhje! Gruaja e Bilalit e ka ndërtuar gjithë karrierën e vet vetëm mbi Pabesi! Pabesi ndaj babait dhe familjes! Pabësi ndaj shokëve dhe shoqeve! Pabesi ndaj demokracisë dhe Kushtetutës! Duke kaluar dhe vijën e kuqe, atë të Pabesisë ndaj Atdheut dhe interesave kombëtare. Ndaj e mirëkuptojmë për stresin që i jep fjala Besëlidhje. Jepini zanaksin të qetësohet!”, shkruan ai.
Edhe Partia Demokratike reagoi përmes një spoti, që nuk lidhej drejtpërdrejtë me fjalën e Kryeministrit Rama para të rinjve të FRESSH-it, por me atë që demokratët e cilësojnë keqqeverisje të vendit që prej 2013-ës.
“Në 2 mandatet e Edi Ramës kryeministër më shumë se 300 mijë shqiptarë u larguan nga vendi. Me korrupsion, krim, arbitraritet, papunësi dhe injorancë, Edi Rama e barazoi Shqipërinë me vendet që janë në luftë për nga numri i lartë i shqiptarëve azilkërkues në Bashkimin Europian. Poshtërsi është të mohosh këtë të vërtetë, duke bërë me faj herë Bashkimin Europian, herë shqiptarët që ikin se nuk pajtohen me qeverisjen e keqe të Edi Ramës. Kjo do të marrë fund me votë të lirë! Për Edi Ramën nuk do të ketë më një mandat të tretë! Për Shqipërinë nuk do të ketë më eksod!”, thotë PD.