Kryeministri Edi Rama pritet të niset ditën e mërkurë për një vizitë dyditore në Turqi.
Vizita e kryeministrit shqiptar vjen pas ftesës së Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.
Kjo është vizita e dytë e kryeministrit Rama në Ankara pesë muaj pas vizitës së tij më të fundit.
Në muajin shtator 2020, ai zhvilloi një takim me Erdoganin teksa Shqipëria kryesonte edhe presidencën e OSBE-së dhe Ankaraja kishte marrëdhënie të tensionuara me Athinën për çështjen e shfrytëzimit dhe ndarjen e ujërave territoriale.
Sipas zyrës për shtyp të Kryeministrisë, gjatë vizitës dyditore të radhës, pritet të ketë diskutime për marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe do të shkëmbehen mendime mbi zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjatë pesë viteve të fundit, Rama ka zhvilluar disa herë vizita në Turqi, ndërsa Erdogan vizitoi Tiranën në vitin 2015 duke e cilësuar marrëdhënien mes dy vendeve si “marrëdhënie vëllazërore”.
Rama, bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm grek
Vlen të thuhet se përpara kësaj vizite Rama ka pasur një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Greqisë Nikos Dendias. Telefonatën e bëri me dije vetë ministri grek përmes një postimi në Twitter ku tha se kishte biseduar mbi çështjet rajonale.
Telefonata e Dendias vjen pak ditë pas hyrjes në fuqi të dekretit presidencial për zgjerimin me 12 milje në detin Jon por gjithashtu ajo është dhe në kuadër të një serie telefonatash që kreu i diplomacisë greke ka zhvilluar me disa vende fqinje dhe aleate.
“Pata një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për zhvillimet më të fundit në rajon”, shkruan ministri i Jashtëm i Greqisë.
Çështja e kufirit detar mes dy vendeve vazhdon të jetë një temë e nxehtë mes Shqipërisë dhe Greqisë që pas rrëzimit të marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese. Së fundmi, qeveritë e dy vendeve kanë rënë dakord që këtë çështje ta zgjidhin në Gjykatë Ndërkombëtare të Hagës.