Në një takim me importues, eksportues dhe furnizuesit e produkteve ushqimore, Rama foli për krizën e energjisë dhe të naftës në botë, që ka prekur edhe Shqipërinë.
Sipas Kryeministrit, problemi i energjisë elektrike në botë po përkeqësohet, e për këtë arsye, ai u ka bërë thirrje bizneseve të mëdha që të investojnë për vetëprodhimin e energjisë elektrike.
Këtë thirrje, Rama e ka bërë edhe për familjet për të investuar në panele diellore, e për këtë do të kenë edhe mbështetjen e qeverisë.
“Gjërat janë çdo ditë dhe më keq në pasqyrën e përgjithshme të furnizimit me energji. Të gjitha vendet po gjenden në një situatë krejt të parashikuar rritje të vazhdueshme të çmimeve të energjisë. Nga ana tjetër problemi themelor nuk është thjesht rritja e kostove por mundësia e mungesës së energjisë që të dalësh në treg dhe mos ta gjesh. Kemi marrë përsipër diçka që e konsiderojmë absolutisht bazë të domosdoshme për të mbajtur një frymëmarrje normale për një kohë të vështirë për të gjithë, mosarritjen e çmimit të energjisë për të gjithë familjarët dhe biznesin e vogël. Ndërkohë që për pjesën tjetër duke qenë se prej kohësh kemi në marrëdhënie të tregut të lirë, aty është një diskutim tjetër.
E para, që bizneset e mëdha duhet të mendojnë për të investuar në vetëprodhim të energjisë pa pretenduar që të bëhen prodhues për të gjithë sistemin elektroenergjetik shqiptar se kjo pastaj për kohën që jemi është diçka që konsiderohet e rrezikshme për sistemin për futjen në rrjet të çdo pjese të energjisë që nuk konsumohet. Ne po përgatisim një plan për të mbështetur familjarët nëse familjet në një pallat do duan të investojnë për të vendosur panele diellore për përdorimin e tyre për ujin e ngrohtë, dhe njëkohësisht për bizneset nëse do duan të prodhojnë energji për fabrikën e tyre. Problemi i shkëmbimit aty është mundësia për ta pasur ditën dhe pamundësia për ta pasur natën. Ky është njëri aspekt dhe kjo nuk ka lidhje me krizën, nuk ka lidhje me luftën”.
Aspekti tjetër i krizës është nafta, tha Kryeministri Rama, sipas të cilit problemi nuk mbetet tek rritja e çmimit, por tek mundësia për të mos patur naftë në treg.
Për të shmangur këtë gjë, Rama tha se po qeveria po përgatit një plan që Shqipëria të ketë sasi nafte në rast krize dhe të mos mungojë furnizimi me karburant.
“Ana tjetër është domosdoshmëria për të vazhduar të garantojmë furnizimin me energji dhe për të vazhduar t’i qëndrojmë me çdo çmim pozicionit tonë që nuk do ta rrisim çmimin e energjisë. Uroj që të jemi në gjendje ta mbajmë. Për momentin mendojmë se e mbajmë dhe mbajtja ka një kosto të jashtëzakonshme në buxhetin e shtetit. Ana tjetër e medaljes është nafta. Sot problemi me naftën është gjithmonë e më i mprehtë për të garantuar sasirat, jo thjesht tek çmimi. Po bëjmë përpjekje serioze për të mbështetur në çdo rast njësoj si me ushqimet edhe furnizimin në rast mungese. Nuk kemi ende diçka përfundimtare por jemi në rrugë të mbarë që të kemi furnizim në rast se do duhet dhe do mungojë. Gjëja që mund të ndodhi është mos të ketë naftë nëpër pompa nëse kjo luftë vazhdon gjatë dhe nëse nuk krijohen burime të reja”, tha Kryeministri Rama.