Kryeministri Edi Rama tha se brenda vitit 2021 personat që kanë humbur apartamentet e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit do të kenë shtëpitë e reja. Ndërsa brenda vitit 2020, tha ai, banorët që kanë humbur shtëpitë në fshatra, do të akomodohen në shtëpitë e tyre të reja.
Gjatë një videomesazhi në Facebook, Kryeministri tha se deri tani Qeveria ka bërë më të mirën, edhe pse me siguri ka pasur plot të meta dhe gabime.
“Kemi sistemuar në kohë rekord mijëra e mijëra njerëz, që nga hotelet me 4 dhe 5 yje, shtëpitë dhe apartamente me qira. Kemi sistemuar edhe mijëra të tjerë në çadra dimërore në zonën e fshatit, nga ku me të drejtë nuk duan të lëvizin. Kemi angazhuar qindra ekspertë për të konstatuar shkallën e dëmeve. Kemi nisur punën e rindërtimit për njerëzit në nevojë me organizatat solidare, por edhe me arkitektë vendas dhe të huaj për rindërtimin e banesave”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se konferenca ndërkombëtare e donatorëve do të mbahet në Tiranë ndërsa tha se për këtë po përgatitet edhe një raport i detajuar me dëmet dhe pasojat nga tërmeti. “Raporti po shkruhet në bashkëpunim me ekspertë të BE dhe OKB të specializuar në këtë aspekt. Brenda vitit 2020 askush të mos mbetet pa perspektivën e qartë dhe konkrete. Brenda vitit 2020 të gjithë banorët që e kanë humbur shtëpinë, ta gëzojnë vitin e ri në një shtëpi të re, shumë më të bukur. Brenda qershorit 2021, të gjithë banorët që kanë humbur shtëpitë në qytete që kanë humbur shtëpitë të jenë me apartamente të reja”, tha Rama.
Falenderim dhe kritikë për Bashën
Nga ana tjetër Rama ka falënderuar kryetarin e opozitës Lulzim Basha për vetëpërmbajtjen e treguar në këtë periudhë sa i takon gjuhës politike, por nuk munguan kritikat për të dhe opozitën mospranimin ftesës për t’u ulur në një tryezë të përbashkët për të diskutuar për daljen nga kjo gjendje pas tërmetit, si dhe për sulmin që po i bëjnë qeverisë, atë që ai e ka quajtur “luftë të egër balte”.
Hetimet mbi përgjegjësit
Gjatë paradites, Policia e Durrësit njoftoi se kishte arrestuat 9 persona, ndërsa kishte shpallur në kërkim 8 të tjerë, mes tyre drejtues lokalë, punonjës të institucioneve shtetërore, por edhe inxhinierë e ndërtues në rrethin e Durrësit. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, “vrasje me dashje” dhe “vrasje në rrethana cilësuese”.
Veprimi u përshëndet edhe nga Kryeministri Rama, i cili tha se ato vazhdojnë intensivisht, “për të dokumentuar përgjegjësit e çdo kahu e niveli, për abuzimet në ndërtim. Hetimet vazhdojnë pa pushim, mos dëgjoni ata që “gamgamosin” përnatë në tendat mediatke pse nuk ka arrestime”, tha Rama.