Kryeministri Edi Rama në një konferencë me gazetarët ka treguar situatën e përmbytjeve në vend. Kreu i qeverisë tha se dëmet janë shumë të vogla krahasuar me sasinë e reshjeve që kanë rëndë.
Ai u pyet se si di të procedohet më dëmet dhe a do të ketë kompensime, pasi ka pasur ankesa nga qytetarë që nuk u është dhënë asnjë ndihmë, si për vete ashtu dhe për bagëtitë e bllokuara nga uji.
Rama u shpreh se në të gjitha zonat e përmbytura Ministria e Bujqësisë ka dërguar ushqim për bagëtitë, për një periudhë 10 ditore, ku ndihmat i janë dorëzuar çdo fermeri.
Më tej ai shtoi se “çdo dëm që ligjërisht duhet të kompensohet, do të kompensohet. Edhe dëmet e vitit 2010 i kemi paguar ne sa për dijeni”.
Duke folur për krahasimin që bëhet me përmbytjet e viteve të tjera në vend, kreu i qeverisë shpjegoi se kjo bëhet për të treguar punën e bërë.
“Krahasimet me vitin 2010 bëhet se kemi pasur një sasi reshjesh, apokaliptike. Një moment shumë kritik. Jo për të bërë vetëm krahasime qeveri me qeveri. Na bën mirë kujtesa. Jo çdo gjë e ka në dorë robi. Përmbytja e Parisit, kërcënoi edhe koleksionet e Louvre-t.”
Ndërsa, sa i përket përmbytjeve në Vlorë, Rama tha se ka akoma ndërhyrje për t’u bërë në këtë qytet.
“Përveç faktit që ka akoma tre ndërhyrje për të bërë për të mbyllur ciklin e investimeve. Kini parasysh efektin e lavamanit. Dora e robit duket për sa kohë ikën uji. Ne e dimë që do këtë momente të vështira. Uji që qëndronte me javë ishte dora e robit, paaftësia e robit. Kemi bërë kanalizime aq sa s’janë bërë në gjithë vitet bashkë. Ka akoma më shumë për të bërë”.