Fasha prej 800 kilovat/orësh e energjisë nuk do të aplikohet as këtë muaj, pavarësisht se moti nuk u tregua shumë bujar për të sjellë sa më shumë reshje.
Nga Shijaku ku mori pjesë në shortin për shpërndarjen e shtëpive të reja për familjet e prekura nga tërmeti i Nëntorit të vitit 2019, Kryeministri Edi Rama tha se qytetarët do të vazhdojnë ta paguajnë energjinë njësoj si edhe më parë.
“Për fat të mirë, na e mundëson që t’ju mbrojmë juve, pra që ju të vazhdoni të paguani të njëjtin çmim energjie që paguanit që përpara se të fillonte kriza dhe përpara se të fillonte lufta dhe të mos ta ndjeni fare që çmimi është shumëfishuar”.
Të njëjtën gjë Rama garantoi edhe për biznesin e vogël.
“Edhe për bizneset e vogla do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë sepse nëse ne jua rrisim energjinë bizneseve të vogla, të gjithë atyre dyqaneve ku ju shkoni për të bërë pazarin, ata vetvetiu do jua ngarkojnë juve në ato që blini”.
Sipas tij kjo është edhe arsyeja pse Shqipëria sot përballet me inflacionin më të ulët në rajon.
“Arsyeja pse inflacioni i luftës tek ne është nën 10% ndërkohë që në vende të tjera të rajonit po i afrohet 20% është pikërisht sepse ne po mbrojmë çmimin e familjarëve dhe biznesit të vogël dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë”.
Ai hodhi poshtë edhe pretendimet e opozitës dhe të një pjese të medieve për rritje të gjobave për biznesin.
“Jo më larg se dje apo pardje, kur ishte, “protestë, biznesi i vogël të çohet në protestë se do rriten 10-fish gjobat”. Jo, komplet rrenë! Biznesi i vogël është aleati ynë më i rëndësishëm”.
Duke u ndalur te rindërtimi, Rama tha se Shijaku bëhet bashkia e parë që e finalizon këtë dhe për këtë një meritë të veçantë ia njohur kryetarit të bashkisë të cilin e rikonfirmoi edhe si kandidat për një mandat tjetër.
“Ka qenë një zgjedhje jashtëzakonisht e duhur dhe për këtë arsye unë sot dua t’ia them kryetarit të bashkisë që ne e duam prapë kryetar bashkie. Ndër gjithë kryetarët e bashkisë të zonës të tërmetit, është më i dalluari për sa afër u ka ndejtur njerëzve
Në Bashkinë e Shijakut kanë përfunduar 31 pallatet e reja, ku do të akomodohen brenda Nëntorit 637 familje, ndërsa më parë janë strehuar në shtëpi të reja 802 familje të tjera.