Vendimet e Edi Ramës për të ndryshuar drejtimin e shtatë ministrive kanë mbërritur në institucionin e Presidencës janë në pritje të një firme nga Bajram Begaj.
Kërkesa është protokolluar nga institucioni, por nuk do të marrë një përgjigje të shpejtë nga ana e kreut të shtetit për shkak se ai është nisur në një vizitë zyrtare në Kazakistan.
Të hënën, Rama njoftoi ndryshimin e 40% të kabinetit të tij qeveritar, duke lëvizur 7 ministra nga drejtimi i dikastereve përkatëse.
Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Ervin Mete
Ministër i Punëve të Jashtme – Igli Hasani
Ministër i Arsimit dhe Sportit – Ogerta Manastirliu
Ministër i Bujqësisë – Anila Denaj
Ministër i Shëndetësisë – Albana Koçiu
Ministër Shteti për Sipërmarrjen – Delina Ibrahimaj
Ministër Shteti për Pushtetin Vendor – Arbjan Mazniku.
Përveç largimeve, kryeministri vendosi të rikthejë Ministrinë e Pushtetit Vendor që do të drejtohet nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku.
Olta Xhaçka, e cila u përjashtua nga qeveria e Ramës, tashmë do të jetë vetëm deputete e PS-së. Mandat për te cilin duhet të përgjigjet në Kushtetuese, për konflikt interesi për shkak se bashkëshorti i saj mori statusin e investitorit strategjik kur ajo ishte pjesë e kabitenit si ministre e Jashtme.
Hetimet nga BE-ja për fondet e IPARD e kanë lënë Frida Krifcën jashtë politikës aktive. Gjithashtu, edhe ministrja pa portofol Edona Bilali tani do të shërbejë vetëm si deputete e mazhorancës, ndërsa për dy anëtarët e tjera të qeverisë, Evis Kushi dhe Milva Ikonomi, pasi i largoi nga ekzekutivi Rama u dha poste në parti.