Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale për marrëveshjen e arritur të dielën mes liderëve të Vetëvendosje dhe LDK për krijimin e koalicionit të ri qeveritar që do të udhëheqë Kosovën për 4 vitet e ardhshme.
Pasi iu uroi suksese për qeverinë e re, Edi Rama tha se shpreson që me qeverinë e re të Kosovës të ketë një bashkëpunim sa më të mirë për shqiptarët e të dyja anëve të kufirit dhe shtoi se mezi pret që të ulet në tryezë për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve
“Suksese VV-LDK në formimin e qeverisë së re dhe në qeverisjen e Kosovës! Uroj të kemi një bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë”, shkruan Rama në Twitter.
Ndërsa, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha e ka konsideruar një akt pjekurie politike dhe ndershmërie, marrëveshjen për koalicionin qeverisës që u arrit mes kreut ë Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Basha deklaroi se marrëveshje është përgjigje e vullnetit për ndryshim të qytetarëve të Kosovës. Ai shtoi se PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe drejtuesve të saj.
“Marrëveshja e sotme është një plotësim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ajo është një akt ndershmërie dhe pjekurie politike e një vizioni të qartë të drejtuesve të LVV dhe LDK. Kjo marrëveshje është përgjigje konkrete e vullnetit për ndryshim i qytetarëve të Kosovës. Partia Demokratike si përgjatë çdo dite të historisë së saj, do të jetë plotësisht në krah e mbështetje të Kosovës dhe udhëheqësisë së saj, sot në opozitë e më fort nesër në qeverisjen e vendit, në sfidat që i kemi përpara dhe që kërkojnë angazhim të sinqertë e bashkëpunim vëllazëror”, shkruan Lulzim Basha.