Kryeministri Edi Rama ka propozuar që dhuna ndaj grave të kategorizohet krim i rëndë dhe të bëhen ndryshimet e nevojshme në legjislacion.
Në forumin rajonal “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi”, Rama u shpreh se duhet gjetur mënyra për të bërë të mundur këto ndryshime dhe për t’i ofruar mbrojtje dhe siguri grave të dhunuara.
Kryeministri bëri me dije se qeveria është duke hartuar një draft për këtë çështje që do të bëhet publik së shpejti.
“Sa gati jemi ne për ta ngritur stekën dhe për ta parashikuar në legjislacion dhe për të thënë që dhuna ndaj grave është një krim i rëndë, nuk është një krim nga ato të zakonshmet. Kur burri dhunon gruan duhet të cilësohet një krim i rëndë. Kjo është ajo që unë mendoj në tërësi lidhur me këtë. Ka shumë përvoja dhe praktika të mira që mund të marrin në konsideratë të gjithë këtë. Kjo ka nevojë për kohë.
Ndërkohë që ne flasim, jam i sigurtë që është një grua diku e cila vuan, po qan, nuk ka shansin dhe mundësinë që të ulërasë për të kërkuar ndihmë. Çfarë duhet të bëjmë ne tani? Kjo është pyetja. Duhet ta bëjmë me çfarëdo kushti. Shumë shpejt do të dalim me një propozim që po punojmë. Ne duhet të kemi një ligj që të inkuadrojë të gjitha frikërat e burrave në mënyrë që të kemi gra më të sigurta”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Nëse propozimi i Kryeministrit Edi Rama sanksionohet në Kodin Penal, atëherë dhuna ndaj grave do të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Me ndryshimet e bëra në kod para 4 vitesh, edhe krimet brenda familjes kategorizohen krim i rëndë.