Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria shqiptare do të lobojë në Bashkimin Europian, në mënyrë që sistemi universitar shqiptar të përfshihet në atë europian.
Gjatë fjalës së tij në Kongresin Kombëtar të Arsimit, Rama u shpreh se lobimi do të kryhet pasi Shqipëria tanimë favorizohet edhe nga statusi i ri , përfituar nga hapja e negociatave.
“Ndërkombëtarizimi i të gjithë sistemit tonë universitar është një domosdoshmëri. Ne shpresojmë që përmes lobimit politik pranë Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian duke përfituar edhe nga pozicioni i ri që kemi si një vend që negocion, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të bindim BE-në që ta përfshijë edhe sistemin universitar të vendeve tona, në sistemin universitar europian.
Kemi 41 marrëveshje me universitete prestigjioze ndërkombëtare dhe ndërkohë që janë 175 marrëveshje të nënshkruara. T’u jepet mundësia studentëve tanë që të hyjnë në procese që brenda vendit sjellin cilësi arsimimi nga jashtë vendit”, tha Rama.