Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Këshillit Koordinues të Diasporës. Në fillim të fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek amnistia fiskale. Ai siguroi emigrantët se amnistia fiskale do të bëhet me çdo kusht dhe me çdo të drejtë që Shqipëria ka për ta bërë. Ai u shpreh se vendi ynë nuk ka pse privohet nga kjo e drejtë.
“Është edhe e papranueshme që në këtë lloj debati të përballemi me këdo qoftë që nuk e kupton se nuk mund të na paragjykojë, si një vend që edhe pse ka të drejtën e vet kushtetuese, edhe pse e ka të domosdoshme ta bëjë, edhe pse sot është një masë që mbështetet qartësisht nga qytetarët e vendit nuk e paska të drejtën ta bëjë, madje u dashka frenuar nga lloj-lloj formash, nga ato format e papranueshme në emër të të gjitha vlerave dhe parimeve që recitohen bukur, por që në fakt ndonjëherë përdoren për të fshehur ca të vërteta shumë të thjeshta duke na vendosur para një pamundësie të palogjikshme. Kështu që dua të siguroj të gjithë ata që janë në emigracion dhe që sot vuajnë për të sjellë në Shqipëri edhe ato remitancat që sjellin, një pjesë të madhe të të cilave i sjellin në rrugë informale, që të jemi realistë… Vuajnë për të blerë një shtëpi sepse kur shkojnë për të blerë një shtëpi iu turren nga mbrapa e gjithë struktura e pastrimit të parave dhe prokurorëve dhe në shumë raste e vërteta është që paguajnë ryshfete tek prokurorët që t’u shpëtojnë bllokimeve të parave të tyre që ne do ta bëjmë amnistinë fiskale me çdo kusht dhe me çdo të drejtë që kemi për ta bërë. Kam shumë besim që edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe sidomos BE, që tanimë jemi në një partneritet të patjetërsueshëm do ta kuptojë dhe ne nuk kemi nevojë që ta mbështesë sepse është e pakuptimtë që ta kërkosh se do ta mbështesë, por nuk do ta pengojë dhe do të pranojë principin e të drejtës duke shfrytëzuar nga ana e vet të drejtën për ta monitoruar këtë proces. Për ta monitoruar që procesi të bëhet ashtu siç duhet sepse përderisa e bën Italia një herë në tre vjet, përderisa e kanë bërë të tjerë nuk kemi të drejtë të privohemi nga kjo e drejtë pse jemi të vegjël dhe pse na paragjykojnë përtej çdo lloj logjike”, u shpreh Rama.