Kryeministri Edi Rama vlerëson se dy projektet që pritet të realizohen në Vlorë, ai i aeroportit dhe portit të ri turistik do të sjellin në vetvete më shumë mundësi për vende të reja pune, ashtu sikurse edhe rritje të pagave.
“Besoj që Vlora me dy investimet që janë shumë afër fillimit të realizimit, edhe pse kemi pasur një proces tejet sfilitës me të parin që është Aeroporti, për shkak të pandemisë, shpresoj më në fund të kemi fituesin e garës dhe porti i ri turistik, që do të fillojë të rindërtohet së shpejti, së bashku me portin e ri të mallrave dhe pasagjerëve që do të bashkohet me të peshkatarëve do të krijojë mundësi të reja për vende pune. Aeroportet janë fabrika buke. Aeroportet nuk janë stacione autobusi që zbret njëri dhe ikën tjetri. Aeroportet sjellin konsumatorë.
Porti turistik është ndryshe, por të çon në një drejtim. Nëse kemi në Vlorë një port me 300-400 varka janë 300-400 ekuipazhe që konsumojnë, paguajnë, pa llogaritur fakti që gjatë sezonit portet turistike sjellin konsumatorë që harxhojnë shumë. Këto struktura, hotelet që do të shtohen si rezultat i aeroportit, shërbimet etj. Çfarë do kërkojnë? Do kërkojnë punonjës. Kjo do sjellë edhe rritjen e pagës sepse cilësia e shërbimeve domosdoshmërisht duhet të jetë më e lartë. Perspektiva është aty”.