Kryeministri Rama tha pavarësisht mungesës së opozitës, gjërat nuk ndryshojnë për Partinë Socialiste në pushtet.
“Ishin të padenjë për t’u përfaqësuar në Parlament dhe në mënyrë të padenjë u larguan nga Parlamenti”, tha ai. “Vërtet mund të mos jetë mirë për demokracinë që përfaqësuesit të braktisin vendin e punës, por puna ka vazhduar ishin apo nuk ishin ata. Ata ndenjën gjashtë muaj jashtë dhe erdhën ditën e fundit për të marrë rrogën. E martë lumi këtë vend nëse fatet e të qenit opozitë mbeten në dorën e Saliut, Lulit dhe Monikës. Besoj që më shumë opozitë ka mes çdo klubi fshati se sa mes tyre. Ajo e tyre është urrejtje, nuk është opozitë”.
Ai i bëri thirrje opozitës që të futet në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, edhe pse është e sigurt që nuk i fiton dot ato.
“Shpresoj që kjo braktisje të jetë mësim për demokratët që i kanë zgjedhur. Ne do të bashkëpunojmë me këto. Opozita jonë reale nuk janë këta, ne i kemi mundur dhe ata e dinë mirë. E mira është që të vijnë në zgjedhje, por do të vijnë për të bërë opozitën, se pushtetin nuk e marrin dot”, shtoi Rama.