Aktualitet Rama e pati cilësuar si “Toskana e Shqipërisë”; Banorët e Roskovecit protestojnë...

Rama e pati cilësuar si “Toskana e Shqipërisë”; Banorët e Roskovecit protestojnë kundër TEC-it

Dhjetëra banorë të pesë fshatrave të Roskovecit protestuan kundër miratimit të një projekti për ndërtimin e një TEC-i në zonën e tyre. Ata thonë se nuk janë dëgjuar dhe pretendojnë se TEC-i do të shkatërrojë ekonominë lokale të bazuar në bujqësi.

Nga Valbona Davidhi  – BIRN

Dhjetëra banorë të pesë fshatrave të Roskovecit protestuan mesditën e së enjtes kundër ndërtimit të një termocentrali të ri me kapacitet 170 MW në fushat pranë tyre, të miratuar një javë më parë nga Këshilli i Ministrave.

Me pankarta në duar, banorët e fshatrave Suk 1, Suk 2, Arapaj, Jagodinë dhe Strum, të cilët kryeministri Edi Rama i kishte quajtur disa vite më parë “Toskana e Shqipërisë,” e cilësuan projektin si një “vepër kriminale,” që sipas tyre dëmton mjedisin e zonës dhe rrezikon bujqësinë si aktivitetin kryesor ekonomik.

“Kjo është zonë blegtorale dhe bujqësore. Mbi 750 hektarë sera prodhojnë për vendin tonë, BE-në dhe Ballkanin. Kjo është tokë buke,” tha një nga protestuesit. Ai shtoi se i kishin kërkuar takim kryeministrit, por nuk janë pritur. “Kemi ardhur deri në Tiranë, por kryeministri s’na dëgjon. Kam dy fëmijë; është brezi që po na e merr Gjermania,” shtoi ai.

Ndërtimi i një termocentrali me gaz, i bërë publik në pranverë të vitit 2023, u miratua në mbledhjen e 18 dhjetorit 2024 nga Këshilli i Ministrave. Leja, që sipas vendimit nuk është koncesion, iu dha kompanisë aksionere “FIER THERMOELECTRIC” SH.A., FTE, aksionet e së cilës zotërohen 30% nga kompania shqiptare “Gener 2,” 35% nga kompania private greke GEK TERNA S.A., dhe 35% nga Korporata Publike e Gazit të Greqisë, DEPA COMMERCIAL S.A. Kjo e fundit, bazuar në raportin publik të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, ka garantuar me një kontratë të vitit 2022 furnizimin me gaz të termocentralit përmes gazsjellësit TAP për 7 vjet.

Sipas Vendimit të Ministrave, termocentrali do të ndërtohet dhe vihet në punë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe do të shfrytëzohet për një periudhë 49-vjeçare. Në vendim, qeveria deklaron se do të marrë 2% të prodhimit vjetor si “royalty,” ndërsa kompania detyrohet t’i shesë, sipas ligjit në fuqi, pjesë të energjisë shpërndarësit publik.

Protestuesit kërkuan ndalimin e ndërtimit të TEC-it, duke pohuar se ai do të shkaktonte ndotje masive në zonë. Ata theksuan se refuzimi për të dëgjuar zërin e banorëve dhe mungesa e konsultimeve publike janë tregues të arrogancës së pushtetit, që synon shpopullimin e zonës me 10 mijë banorë.

Banorët shprehen se termocentrali do të dëmtojë tokën dhe ujin, si edhe shëndetin e tyre. Ata i tremben faktit se zona, deri tani e pastër nga industria dhe me ekonomi kryesisht të bazuar në agrikulturë, mund të përballet me të njëjtin fat si fushat e Patos-Marinzës.

Ndërkohë, në argumentet për rishikimin e planit vendor për të mundësuar ndërtimin e termocentralit, ekspertiza e kryer me kërkesë të Bashkisë Roskovec arsyeton se TEC-i do të ishte më fitimprurës sesa bujqësia në të njëjtën sipërfaqe toke. “Kontributi socio-ekonomik i veprës termo-energjitike, TEC Roskovec, është vlerësuar të jetë rreth 400 herë më i lartë sesa ai i veprimtarisë bujqësore në të njëjtën sipërfaqe dhe për të njëjtën periudhë 25-vjeçare,” thuhet në raport.

Megjithatë, raporti nuk merr parasysh ndikimin që TEC-i mund të ketë në ekonomitë bujqësore përreth, edhe pse tërthorazi ngre shqetësime për ndotjen dhe tjetërsimin e burimeve ujore në zonë. Sipas raportit, TEC-i ndodhet vetëm 1.2 kilometra larg lumit të Semanit, dhe proceset e tij mund të sjellin “kontaminimin e ujit të pijshëm.”

“Derdhja e ujit të përdorur me temperaturë të lartë (si pasojë e procesit teknologjik) mund të sjellë ndikime serioze në ciklin jetësor të organizmave shtazorë dhe bimorë, si dhe në funksionimin e ekosistemeve natyrore (ujore dhe tokësore),” thuhet në raport.

Dhurata Malka, anëtare e opozitës në Këshillin Bashkiak të Roskovecit, deklaroi se vendimi për lejimin e ndërtimit të TEC-it është marrë pa respektuar procedurat e dëgjesave publike dhe pa marrë mendimin e banorëve.

“Dëgjesa është bërë dhe kanë marrë pjesë pastrueset e shkollave dhe disa punonjës administrate. Kjo ishte dëgjesa që kanë bërë,” tha Malka, duke akuzuar se mendimi i banorëve nuk është marrë në konsideratë. Ajo paralajmëroi se ndikimi në zonë do të jetë “katastrofik.”

“Këtu kemi dy shkolla, nxënësit e të cilave, përveç rrezikimit të shëndetit, do të vuajnë edhe ndotje akustike,” shtoi Malka për BIRN.