Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një takim me demokratët në Tepelenë ka komentuar edhe një herë daljen e fundit televizive në emisionin “Opinion” të ish-ministrit Arben Ahmetaj.
Ndërsa vuri në dukje se “është shitur nga kryeministri Edi Rama,” kreu i demokratëve shtoi se përgjegjësia kryesore bie mbi vetë Ramën.
“Ajo ishte një medalje me dy anë…E vërteta është se përgjegjësinë më madhore e ka Edi Rama. Ai ka firmosur fap e fap, duke i thënë drejtori i entit kombëtar të prokurimeve, që kjo metodë prokurimi nuk mund të përdoret se është antiligjore. Kurrë kryeministri nuk mund ta firmosë atë. Sepse ai është gardiani i shtetit shqiptar. Ai ka shkelur ligjin vetëm pse e kishte ndërmarrje të tij.”
Sipas Berishës, në fjalën e tij, Ahmetaj përmendi disa herë që duhen të ndiqet paraja duke nënkuptuar kryebashkiakun Veliaj, që sipas tij “ i ka marrë me thasë.”
“Ana tjetër e medaljes është se deshi të lajë gjurmët. Nuk kam firmosur. Gënjeshtra! Në këtë aferë është një ndërtues i kontraktuar nga një kompani private, si supervizor, që është në burg me akuzën e shkeljes së interesit publik, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë përgjegjësi publike.
Në burg është supervizori. Shteti ka një inspektoriat financuar nën urdhrat e Arben Ahmetajt. Ky inspektoriat ka detyrë ligjore të kontrollojë çdo lloj abuzimi që sinjalizohet nga mediat, nga punonjësit, nga kushdo.
Nga viti 2014 deri ditën kur foli Ahmetaj, ka pasur të paktën një person që ka bërë 223 denoncime, por janë mbi 1 mijë denoncime për abuzime me djegësin.
Por pse SPAK i partisë hesht dhe arreston Arben Dervishin, por nuk shkon te inspektori që paguani me taksat tuaja për të mbrojtur paratë tuaja, buxhetin tuaj?
Pse nuk arreston inspektorin dhe ministrin prej nga varej? Pse? Se ky institucion është i kalbur. U ndërtua krejtësisht si seksion i PS-së”, tha Berisha.