Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e akuzoi se është paguar me 220 mijë euro nga kryeministri Edi Rama në lidhje me shërbimin që i bëri në zgjedhjet lokale.
Përmes një postimi në Facebook, Alibeaj shkruan se është Sali Berisha ai i cili i nevojitet kryeministrit Rama ta ketë përballë dhe të justifikojë korrupsionin e qeverisë së tij.
“Pasi u bojkotua masivisht nga demokratët dhe shqiptarët, Sali Berisha vazhdon të hedhë llum dhe baltë si e vetmja mënyrë për t’i mbijetuar katastrofës së vet elektorale. I përjashtuari i madh nga politika, me 103 mijë vota demokratësh kundër tij e me 200 mijë të tjerë që e refuzuan dëshmoi qartë kush i ka shërbyer kujt!
Edi Ramës i duhet Sali Berisha dhe soji e sorollopi i tij i korruptuar për të justifikuar korrupsionin ku është zhytur ai dhe qeveria e tij.
Unë nuk kam qenë kurrë e nuk jam me parimin e Xenit, për tu paguar për gjithçka. Sali, dorëheqja ime është akt që shkon për të mirën e demokratëve, largimi yt është çlirim dhe frymëmarrje për ta”, shkruan Alibeaj.