Kryeministri Edi Rama tha sot se në udhën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE ka një rol të rëndësishëm administrata, dhe për këtë arsye ai inkurajoi prokurorët të hetojnë dhe çojnë para drejtësisë pjesën e zezë të saj.
Kryetari i Partisë Socialiste, i pranishëm në mbledhjen e Grupit Parlamentar e vuri fokusin e ligjëratës së tij tek procesi i Integrimit Europian, tek Komisioni i Posaçëm për Mirëqeverisjen – Sundimin e Ligjit – Antikorrupsionin dhe vijueshmërinë e reformave për Shqipërinë 2030 në BE.
Rama tha se për të arritur objektivin e anëtarësimit në BE, duhet një administratë e përgatitur, edhe pse deri më tani ka surprizuar pozitivisht zyrtarët në Bruskel.
“Shqipëria ka një administratë publike, një pjesë të bardhë të rëndësishme, por ka dhe një pjesë të zezë, me të cilën fatmirësisht sot, shumë e shumë herë më tepër se dje, arrin të merret drejtësia, dhe përfitoj nga rasti t’i falenderoj dhe inkurajoj prokurorët e SPAK dhe me shpresë dhe të tjerët në prokuroritë e zakonshme që të bëjnë gjithçka që munden që ta zvogëlojnë përditë atë pjesën e zezë, që është një turp kombëtar, është një turp shtetëror, është një turp popullor, është një turp për të gjithë”, theksoi Rama.
“Por, ama, pjesa e bardhë e administratës tanimë nuk është më një opinion, sepse s’e kam patur këtë opinion për hir të së vërtetës, pasi kam patur pagjumësi kur ka filluar procesi i diagnostifikimit nga ideja që administrata, sepse në këtë proces nuk e përmenda gjatë prezantimit për të mos u zgjatur, por në këtë proces është përfshirë një numër jashtëzakonisht i madh punonjësish, ekspertësh, drejtuesish, të administratës, 1746 persona, 1746 persona që s’kanë shkuar në Bruksel, jo se i kemi mbledhur ne dhe i kemi zgjedhur lart e poshtë, por kanë shkuar sipas pozicioneve në institucione dhe për shkak të pozitës që kishin dhe kanë në institucione, u bënë pjesë e asaj skuadrës. Nuk ka patur gjithë këto vite, një lehtësi, inspirim më të madh për mua në këtë detyrë, sesa rastet kur që nga kryeministra të BE, disa prej tyre dhe të tjerë apo dhe zyrtarë të misionit të BE, më kanë thënë: “Uau, Shqipëria vërtet po na surprizon”. Kjo është për t’u ndjerë të inkurajuar për mundësitë që kemi”, tha Rama.