Kryeministri Edi Rama, me në krah Behgjet Pacollin, nënshkruan këtë të martë kontratën për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Fitues për ndërtimin e tij, janë shpallur tre kompani: Mabetex Group, YDA Group she A2 SHPK.
“Ky për mua është një moment shumë më i rëndësishëm se vaksina. Më jep mundësi të buzëqesh pas një përpjekje shumë të gjatë aq të gjatë me pengesa aq të shumta saqë Belinda e di shumë mirë që në momente të caktuara fillova të them: ‘s’ka mundësi ka një mallkim dikush e ka mallkuar këtë projekt sepse sapo ngjishnim një problem lindte një tjetër’.
Procesi i mbushur me nervozizëm dhe zhgënjim. Ka qenë një histori për t’u bërë libër historia e rrugës tonë për të ardhur deri këtu që në fillim.
Por në fund axha Behgjet e di se kush bën biznes do t’a dijë sa është fitimi”, tha Rama, duke zbërthyer të papriturat e tjera, të cilat kishin lidhje sipas tij me pandeminë.
Duke e lidhur firmosjen e kontratës me praninë e Pacollit si investitor, Rama vijoi:
“S’ka pasur kënaqësi më të madhe në këtë proces, një proces që s’ka pasur qenë fare i mbushur me kënaqësi, por me nervozizëm, kur Belinda më mori në telefon e më tha që baca Behgjet ka hyrë në garë…”
Por sa do të zgjasë ndërtimi i aeroportit të Vlorës?
Sipas asaj çfarë shpjegoi ministrja Balluku, “punimet do të nisin brenda 14 muajve, do të ketë një fazë përgatitore për sa i përket studimit mjedisor, pasi është një aeroport që do të ngrihet sipas kritereve evropiane. Do të ketë edhe një studim arkeologjik, më pas 8 muaj do të jenë në dispozicion për përmbushjen e kushteve paraprake dhe dorëzimit të masterplanit dhe 6 muaj për marrjen e lejeve të ndërtimit. Këto janë afatet maksimale të ligjit dhe do mundohemi t’i mbyllim sa më shpejtë.
Në fazën e parë, përfshin ndërtimin e terminalit dhe nisin operimet dhe faza e dytë konsiston në zgjerimin e terminalit të pasagjerëve do të fillojë pas vitit të 4 të operimeve.
Jo vetëm do të ketë injektimin direkt të 104 milionë eurove në ekonomi, por edhe në zhvillime në fusha të tjera”, tha Balluku.