Pasi mori vaksinën ndaj koronavirusit, kryeministri Edi Rama u shpreh se është e rëndësishme që tashmë shqiptarët nuk janë në radhë për të pritur për vaksinën.
“Është një ditë fantastike për faktin se jemi çliruar nga një barrë shumë e madhe e përgjegjësisë, për të mos lejuar që shqiptarët të mbeteshin në radhë. Shqipëria dhe rajoni nuk u përfshinë në skemën e furnizimit të menjëhershëm, të fillonte me sa më pak diferencë kohe nga ata që kanë dhe gurin dhe arrën në dorë. Faktikisht, ky spostim i vogël në kohë është një lehtësim shumë i madh për mua. Tashmë, shqiptarët mund të presin pa ankthin, a do të vijë vaksina, a jo. Nga ana tjetër, vaksina nuk është e detyrueshme, por është e këshillueshme. Duhet të çlirohen nga marrëzitë dhe helmet e burimet që i furnizojnë me teori konspiracioni. Është e sigurt që vaksina nuk i bën ilirët vikingë apo aziatikë. Është e sigurt që nuk futet çip në trup për të përgjuar thashethemet e kafeneve”.
Rama tha se Shqipëria do të japë edhe disa doza për Kosovën që nga java e ardhshme. “Është shumë e rëndësishme që edhe në Kosovë, edhe pse ne nuk e zgjidhim problemin e tyre, pasi nuk e kanë siguruar vaksinën, të mund të fillojë të paktën në frontin e parë, aty ku është vija e zjarrit, në spitalin Covid në Prishtinë. Dozat që ne mund t’i japim Kosovës nga java e ardhshme janë simbolike, por është e rëndësishme që ne të mos mendojmë si BE, por të mendojmë se nuk jemi vetëm ne. Mbi të gjitha, Kosova dhe Shqipëria janë një, në gëzim dhe në hall”.
Në fund, kryeministri u shpreh se tashmë radhën e ka Saliu. “Radhën për vaksinimin e ka Saliu kur të hymë te moshat e tejthyera”, u shpreh Rama.