Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste, deklaroi se lufta në Ukrainë është “një sprovë e re e forcës sonë të karakterit dhe aftësisë sonë për të dalë më të fortë”.
“Do ishte mirë që lufta në Ukrainë të mos na kishte hyrë si një pikë mes projekteve të mandatit të tretë. Ajo luftë erdhi si një sprovë e re e forcës sonë të karakterit dhe aftësisë sonë për të dalë më të fortë. As nuk e nisëm ne dhe as nuk e ndalim dot ne, ne thjesht duhet ta përballojmë duke garantuar siguri, përkujdesje dhe zhvillim për të gjithë shqiptarët”, tha Rama.
“Lufta do të mbarojë, ndërkohë që kjo garanci duhet të qëndrojë aty si një kulturë e re qeverisjeje. Ky është momenti për ta ngritur në këmbë këtë kulturë të re, duhet të dalim më të fortë edhe nga kjo krizë”, shtoi kryeministri.
Rama komentoi edhe dënimin e ish-zëvendësministres së Brendshme, Rovena Voda, me 10 muaj burg: “Për të bërë detyrën ishte zgjedhur edhe kush e dogji Shqipërinë në zjarrin e piramidave e kush i hodhi në erë njerëzit pak kilometra nga sheshi kryesor i Tiranës, e kush i vrau protestuesit e pafajshëm në bulevard. Drejtësia e re ende po vonon apo po ngurron. Nuk e di akoma këtë që të hyjë në kraterin e vullkanit të padrejtësive 30-vjeçare, ndërkohë që dënon një zyrtar të lartë për një arkë peshk në këmbim të një punësimi të pakryer, por për këtë mbase do flas pak më tej. Dallimin e qeverive e bëjnë vendimet që ato marrin dhe punët që ato bëjnë dhe taksat që mbledhin”.