Kryeministri Edi Rama thotë se ishte i tronditur nga akuzat e ngritura nga prokurori i Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Sipas tij, teksti ishte skandal dhe i ngjason sikur i drejtohet një regjimi kriminal.
“Ajo çka mua më ka indinjuar thellë dhe më ka bërë që ndoshta për herë të parë, të mos gjej dot fjalët për t’u shprehur. Ai tekst mu duk përtej shumë, përtej fillimit të kërkimit të drejtësisë lidhur me çfarë presupozohet ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ish-kryeparlamentarit të saj.
Sa shumë njerëz që nuk e kanë idenë e përgjithshme jo më detajet e historisë që kanë lexuar atë tekst, kanë menduar dhe kanë ndjerë jo si për dy themelues të UÇK-së, por si dy pjesëtarë të një regjimi kriminal.
A thua se po flitet për Serbinë dhe regjimin serb dhe jo sikur po flitet për udhëheqësit e një vendi që ishte viktimë e regjimit të një agresioni. Kjo ishte ajo që më ka tronditur. Pa marrë parasysh edhe faktin se si munde të flitet për të vrarët duke folur për shuma të përgjithshme; rreth 100.
Flitet për obstruksion, apo përpjekje për pengim që është një hata më vete. Unë jam dëshmitar i disa bisedimeve dhe i një bashkëbisedimi që kam zhvilluar me Hashim Thaçin, Isa Mustafën në Prishtinë kur diskutohej pikërisht futja në rendin e ditës dhe votimi i tribunalit special dhe e di shumë mirë që të dy udhëheqësit në fjalë, ishin absolutisht pa rezervë për ta mbështetur këtë nismë pa rezervë, nismë që vinte nga jashtë dhe nga ana tjetër kishin problemin e mungesës së kuorumit për ta bllokuar. Ky tekst është një skandal”, tha Rama për “Rubikon” në KlanKosova në Prishtinë.
“Kemi treguar dobësi ndaj Serbisë për shkak të një politike feudesh”
Kryeministri Edi Rama thotë se politika shqiptare në Kosovës ka humbur pikë ndaj Serbisë, për shkak të asaj që ai e quan barrikadim të gabuar të politikës në Prishtinë.
Rama shprehet se vendosja e taksës 100%, duhet të shërbejë si shkollë politike për shkak se dha alarmin për mos përmbushjen e marrëveshjeve nga ana e qeverisë serbe.
“Marrëdhënia ime me Presidentin e Serbisë është një marrëdhënie e krijuar si rezultat i të qenit kryeministër i Shqipërisë dhe në funksion të bindjes sime që shqiptarët dhe serbët në kushtet kur lufta ka mbaruar dhe kemi zgjedhur paqen, duhet të synojmë shumë larg. Synimi duhet të lidhet me mosdakordësisë së madhe, e cila qëndron në mes. Kemi rënë dakord që të mos biem dakord për këtë, ku ne jemi në luftë diplomatike nuk diskutohet por duke ndarë një ide që këtu duhet ecur dhe hapësirat e tjera duhen shfrytëzuar. Ti nuk e zgjedh fqinjin. Po të kishim mundësi, të gjithë popujt në këtë rajon do të kishin zgjedhur fqinj të tjerë. Në një proces, ti nuk shikon sa i mirë, sa bujar është tjetri siç mendon kur të kërkon dikush një krushqi. Ti shikon interesin.
Presidenti i Serbisë është aty për të shfrytëzuar çdo hapësirë dhe për të bërë çdo manovër në funksion të këtij interesi. Dhe sigurisht për ta treguar, gjë që e ka arritur fal dobësisë së madhe që kemi treguar ne me këtë lloj politike feudesh dhe me këtë lloj përplasjesh si në një luftë të ftohtë civile brenda Prishtinës që ky është personi i interesuar për paqe, për këtë e për atë. Ne duhet të shohim veten sepse kur del në një ring, ti nuk do merresh në fund si më mundi ai përball, ti je marrë me muskujt e tu, me përgatitjet tënde mendore. Kemi humbur terren për krejt të kundërtën e asaj që thuhet, sepse jemi barrikaduar gabim.
Po marr një rast flagrant që duhet të shërbejë si shkollë politike; taksa 100%. Ishte një vendim i cili mund të konsiderohej gabim në çdo aspekt, por në një aspekt ishte në kohën e duhur për të dhënë alarmin problemin e mos respektimit nga ana e Serbisë të një sërë dakordësish të paravendosura dhe problemin e ngecjes së një procesi në tërësi ku mos liberalizimi i vizave është një simbol, një turp i madh i BE-së dhe i vetos së Macron”, tha Rama për “Rubikon” në KlanKosova në Prishtinë.