Ndonëse afganët nuk kanë mbërritur ende në Shqipëri, kryeministri Edi Rama i qëndron gatishmërisë për të pritur shtetas afganë që largohen nga regjimi taliban.
Në një intervistë të dhënë për gazetarin Antonello Sete për faqen italiane “Globalist”, kreu i qeverisë ka treguar arsyet pse Shqipëria i ka pranuar këta shtetas, por nuk ka dhënë një reagim për Italinë e cila heziton t’i pranojë afganët.
“Kur është fjala për Italinë, për fat të keq jam i njëanshëm. Unë gjithashtu ndihem italian dhe për këtë arsye nuk jam në pozicionin e dikujt që mund të gjykojë, edhe sepse, si një vëzhgues i zjarrtë i politikës italiane, e kuptoj kompleksitetin e problemit. Unë mund të flas për vendin tim. Shqipëria është i vetmi vend evropian që priti hebrenjtë para dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Është një kod nderi që na obligon të jemi mikpritës. Një kod, sipas të cilit shtëpia e secilit shqiptar i përket Zotit dhe mysafirit”.
Kreu i qeverisë shqiptare foli dhe për hapjen e negociatave me BE. Qëndrimi i tij ndaj europianëve mbetet i pandryshuar.
“Ne jemi europianë, por jo Bashkimi Europian. Unioni është një shtëpi që për momentin i përket të tjerëve dhe ata kanë të drejtë të vendosin nëse jemi gati apo jo. Fatkeqësisht, prej vitesh ne po paguajmë pasojat e një Europe që nuk mund të përballojë presionin e sondazheve”.
Sa i përket nismës Ballkani i Hapur, “jo vetëm Shqipëria, por të gjitha vendet e Ballkanit, jemi paradoksalisht peng i nacionalizmave, të cilët shtyjnë në një drejtim tjetër dhe që fatkeqësisht kushtëzojnë axhendat politike edhe kur përfaqësuesit e tyre nuk janë drejtpërdrejt në pushtet”, thotë ndër të tjera Kryeministri shqiptar.