Pas deklaratës së bërë nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha se ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës është përpjekja e fundit e kryeministrit, Edi Rama për të ndaluar rotacionin e pushtetit, kreu i qeverisë i ka bërë një tjetër sfidë opozitës.
Kryeministri Rama duke iu përgjigjur liderit të PD-së thotë se, opozita jashtë parlamentit është e ftuar të bëhet pjesë e tryezës për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor, pasi ata nuk mund të bllokojnë dot procesin.
Rama shprehet i gatshëm për hapjen e plotë të listës së kandidatëve për deputetë, por edhe për gjetjen e formulës për koalicionet parazgjedhore.
“Ne nuk ndalemi sepse nuk jemi zgjedhur për t’i shkuar mbrapa atyre që ikin në drejtim të paditur, po për të udhëhequr Shqipërinë e shqiptarët në rrugën e të ardhmes. Në tryezë na ul përgjegjësia ndaj vendit dhe popullit, arsyeja e kultura jonë demokratike, jo dënglat kërcënuese! S’ka kohë për të humbur. Puna duhet të fillojë nesër. Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100% është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese në këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë!”, shprehet Rama.
Çështja e koalicioneve parazgjedhore ka qenë pika kryesore që ka ndarë në diskutime mazhorancën qeverisëse dhe opozitën. Pikërisht për këtë pikë, Rama thotë se është i hapur për të gjetur një formulë që lejon koalicionet.
“Formulën e grupimit të partive para zgjedhjeve, sipas modeleve të vendeve të OSBE/ODHIR-it, duke diskutuar e përzgjedhur së bashku, jo me emaile tip fletërrufeje dhe me idenë e gabuar se po nuk deshi një palë në rrugë, palët e tjera në parlament duhet të rrinë duarlidhur”, përfundon Rama.