Politika Rama fton emigrantët të kthehen në atdhe: U del më mirë këtu,...

Rama fton emigrantët të kthehen në atdhe: U del më mirë këtu, jashtë jeton vetëm për të punuar

Të kthehesh në atdhe apo të punosh jashtë? Kjo është dilema me të cilën përballen sot shqiptarët që prej vitesh kanë mërguar për një jetë më të mirë në Europë e përtej oqeanit.

Historinë e emigrantit që e shoqëroi si shofer në Britaninë e Madhe gjatë turit me diasporën, kryeministri Rama e riktheu në podkastin “Flasim” për të treguar se në Shqipëri pavarësisht se jetohet për të punuar, qytetarët kanë një jetë sociale, gjë nga e cila privohen në vendet ku kanë emigruar.

“Isha në Londër, një superdjalë që bëri shoferin për mua, kishte shkuar me kamion nga Malësia e Madhe. Më tha kur dola nga kamioni dhe pashë qiellin e dija që arrija e s’dija ku të shkoja. Sot kishte kompani sigurimi me punonjës nga të gjithë nacionalitetet, Më tha, fëmijët i shoh dhe shijoj për pak kohë ditën e diel. Këtu duhet të bësh 2 punë që të mund të marrësh frymë normal, dhe normalja është që nuk ke jetë sociale. Kjo jeta sociale nuk është gjë e vogël, sepse nuk do të marrim gjë në botën tjetër dhe vitet ikin. Në Shqipëria është puno për të jetuar, jashtë është jeto për të punuar”, tha Rama.

Siguria që ofron Shqipëria është një arsye që më së shumti Rama tha se e çmojnë të huajt, teksa rrëfeu bisedën me një përfaqësues të një organizate ndërkombëtare në vendin tonë, i cili kishte vendosur ta linte familjen këtu.

“Më tha: ‘Jo, jo, djali i madh është i vendosur të jetojë në Shqipëri, gruan dhe pjesë tjetër familjes do e lë për këtë periudhë, pastaj do ta shikojmë’. Tha: ‘Ju shqiptarët jeni të çuditshëm nuk e vlerësoni atë që keni dhe patjetër që keni shumë për të bërë’, por tha që Shqipëria është vend i sigurt, se si familje nuk ndihesh vetëm sepse njerëzit janë mikpritës”, tha Rama.

Edhe gjatë turit me shqiptarët e diasporës kryeministri Rama i ka bërë thirrje shqiptarëve që të kthehen në atdhe për të investuar kursimet e tyre në sektorë si turizmi dhe agroturizmi.