Zëri i Alban Xhihanit që komentoi në ekranin e televizionit Klan të tre ndeshjet e Shqipërisë në Euro2024 padyshim që është kthyer në një zë shumë të dashur për të gjithë tifozët kuqezi.
Edi Rama: Zëri i Europianit 2024 që erdhi këtu bashkë me figurën, aktualisht ka hyrë në veshin e çdo shqiptari.
Alban Xhihani, komentatori i Klanit ishte zgjedhur nga kryeministri Edi Rama për të mbyllur sezonin e tretë të podcastit të tij. Xhihani flet për emocionet, për atë që cilëson si majën e karrierës si komentator, të komentonte ndeshjet e Kombëtares në këtë kompeticion.
Alban Xhihani: Pavarësisht eksperiencës shumëvjeçare, vjen një moment kur ti ke njëlloj emocioni dhe e gjithë kjo vinte nga një atmosferë e bukur, që gjithsesi më mbushi dhe më dha forcë që të bërtisja deri në ngjirje.
Edhe kryeministri ka dhënë këndvështrimin e tij për paraqitjen e kombëtares, por dhe mbështetjen nga tifozeria.
Edi Rama: Kanë luajtur futbollin më të mirë që mbaj mend unë në Kombëtare, tifozët tanë luajnë bashkë me ne, janë skuadër. Në këtë aspekt, ai ka qenë lojtari më i mirë i jonë, absolutisht.
Ndeshjen me Italinë, Rama e ndoqi në stadiumin e Dortmundit në krah të homologes Meloni. Ai tregon prapaskenat e përjetimeve të italianëve pas golit të Bajramit në sekondën e 23.
Edi Rama: Kthej kokën dhe aty ishte një vaki dhe një shok dhe ishin të gjithë të ngrirë dhe nuk kishte asnjë komunikim me njëri-tjetrin. Ata ishin në shok.
Po ashtu, kryeministri zbulon jo skuadrën e tij të preferuar, por trajnerin që e ka bërë të ndryshojë dhe skuadrat e parapëlqyera. Me Morinjon, Rama tregon se ka një komunikim të vazhdueshëm që është zhvilluar dhe gjatë ndeshjeve të kombëtares.
Edi Rama: Në pushim të ndeshjes me Kroacinë, i shkruajta Morinjos dhe i thashë “deri tani ok” dhe më çoi një rresht me “mos fol”.